Zgjedhjet 2016, PDSh prezantoi platformën në Studeniçan

22.11.2016 14:13

Nën moton “Ecim drejtë”, PDSh filloi fushatën zgjedhore në Studeniçan...

Nën moton “Ecim drejtë”, PDSh filloi fushatën zgjedhore në  Studeniçan, ku prezantoi platformën dhe kandidatët për deputetë në njësinë e parë zgjedhore.

Oferta politike e PDSh-së është: “barazi e plotë e dy etniteteve më të mëdha në vend, ndarje të barabartë të buxhetit të shtetit, investime të barabarta për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, amnisti fiskale dhe amnisti të përgjithshme për shqiptarët, infrastrukturë më të mirë në vendbanimet shqiptare”.

Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, potencoi se është koha e fundit për t’i faktorizuar shqiptarët në vend përmes ndryshimit të skenës politike shqiptare.

Sipas tij, shqiptarët nuk kanë qenë kaq të defaktorizuar që në kohën e komunizmit dhe për këtë Thaçi bën fajtor partinë shqiptare në pushtet. Lideri i partisë, Thaçi, tha se gjatë kësaj fushate nuk duhet lejuar që të përdoret gjuha e urrejtjes ndaj njëri-tjetrin, ndërsa partitë e reja politike që garojnë për herë të parë në këto zgjedhje, ai i cilësoi si proces normal i demokracisë, i cili në asnjë mënyrë nuk cenon fitoren e PDSh-së.

“Plani është që shqiptarët t’i aktivizojmë dhe t’i faktorizojmë me një platformë të saktë politike dhe shkencore, që e ka emrin vendimmarrje. Shqiptarët dhe maqedonasit duhet të jenë të barabartë në të gjitha institucionet e shtetit. Plani ynë i përbashkët është që ne t’i faktorizojmë dhe t’i mbrojmë ekonomikisht shqiptarët nëpërmjet ndarjes së drejtë të buxhetit të shtetit. Ne kërkojmë për hisen tonë në buxhet, jo për të marrë dhe të ndërtuar shtëpitë e shqiptarëve dhe për të mbushur xhepat, jo për të blerë armë luftarake kundër maqedonasve, por thjesht për ta bërë jetën më cilësore të shqiptarëve, njësoj si të maqedonasve. Tashmë 15 vite kjo qeveri, në të cilën është pjesëmarrëse BDI, mjetet e buxhetit dhe rebalancit të buxhetit nuk shkojnë për infrastrukturë në viset shqiptare, por në kopshtin zoologjik “Shkupi 2014””,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh  Thaçi.

Bartësi i njësisë zgjedhore numër një, Idriz Orana, premtoi rritje të investimeve vendore dhe të huaja, zgjerimin dhe themelimin e zonave të lira ekonomike në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët për të hapur më shumë vende pune për shqiptarët, lehtësime tatimore në shumë sfera të cilat, sipas tij, mund të bëhet realitet vetëm përmes platformës së PDSh-së dhe kthimin e parave nga tatimet e shqiptarëve në investime për shqiptarët.

Në platformën politike të PDSh-së është përfshirë përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, e cila duhet të aplikohet si e tillë në të gjitha nivelet e pushtetit dhe në të gjitha institucionet shtetërore.

“Në  mandatin tonë të qeverisjes do të zyrtarizojmë gjuhën shqipe me ligj të veçantë, simbolet shtetërore do të shprehin edhe elementin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, të gjithë administratorët do të jenë nëpër zyrat e veta dhe jo të rrinë nëpër shtëpi dhe të marrin rroga pa asnjë ditë përvojë pune. Përfaqësimi etnik do të jetë adekuat jo vetëm në nivelin horizontal, por edhe atë vertikal, duke i avancuar dhe duke i dhënë poste udhëheqëse në sektorët ku punojnë. Sistemit shkollor do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë në përmbushjen e kushteve për nxënësit shqiptarë, tekstet shkollore do të jenë të unifikuara me ato të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe do ta ndërpresim praktikën e BDI-së që nxënësit shqiptarë të pajisjen me tekste ofenduese, nënçmuese dhe të turpshme për kombin shqiptar”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një nga PDSh, Idriz Orana.

“Integrimi i vendit në BE dhe NATO janë të domosdoshme për stabilitetin dhe prosperitetin e mëtejshëm të vendit”,- u tha në këtë miting dhe njëkohësisht u potencua se “PDSh do të këmbëngul për larjen e borxheve që shqiptarët kanë ndaj shtetin dhe për amnisti politike, që do të thotë  rishqyrtim të proceseve të montuara gjyqësore”.

Nga PDSh treguan gatishmëri të plotë për të zgjidhur shumë çështje të tjera që janë në interes të shqiptarëve përmes kandidatëve të tyre për deputetë në Parlament. Ata thanë se zgjedhjet e 11 dhjetorit do të jenë shumë të rëndësishme për t’i arritur këto qëllime dhe për t’i kthyer shqiptarët në faktorë njëherë e përgjithmonë.

Platforma e PDSh-së për 2016-2020 gjithashtu përfshin edhe investime në infrastrukturë, kanalizim, ujësjellës, parqe e gjelbërim, çerdhe, shkolla dhe ambulanca, zhvillim të turizmit, mbrojtje të mjedisit jetësor, planifikim të qëndrueshëm të hapësirave dhe pasurive natyrore të vendit, ngritje të cilësisë në arsim dhe reformim të tërësishëm të sistemit shëndetësor. (Rexhep Qamili, TVM2)