Maqedoni
Sulejmani: Me përkthime të merren persona adekuatë; Qytetarët: Gjuha shqipe nuk respektohet nga institucionet
22.11.2016 16:03
Rregullat e drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit nuk respektohen si në media ashtu edhe gjatë përkthimeve...

Rregullat e drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit nuk respektohen si në media ashtu edhe gjatë përkthimeve të teksteve shkollore dhe atyre shkencore, vlerëson profesori i gjuhës shqipe, Berton Sulejmani.
Kjo, sipas tij, ndodhë sepse nuk u angazhuan njerëzit kompetentë për përkthime apo redaktim gjuhësor.
“Kohëve të fundit vërejmë edhe një shkarje nga ato rregulla drejtshkrimore, e sidomos te disa televizione edhe rregullat drejtshqiptimore. Zakonisht gjatë emetimit të lajmeve apo emisioneve të ndryshme ku duhet të flasim dhe duhet të kemi kujdes edhe për rregullat drejtshkrimore, tek ne është vërejtur një shkelje e madhe drejtshkrimore, por edhe e normës gramatikore gjatë përkthimeve të teksteve shkollore, por edhe shkencore. Pse ndodh kjo? Sepse me përkthime nuk u angazhuan njerëzit që e njohin këtë fushë dhe njerëzit të cilët kanë përvojë në këtë fushë”,- deklaroi profesori universitar, Berton Sulejmani.
Edhe qytetarët theksojnë mosrespektimin e rregullave të gjuhës shqipe, e sidomos ata theksojnë mosrespektimin nga ana e institucioneve.
“Në mënyrë institucionale 20-30%, ndërsa nga popullata respektohet”,- u shpreh një qytetar.
“Jam i kënaqur që djali im shpeshherë më përmirëson në gabime. 50 vjet komunizmi na ka mbjellë fjalët në pjesën e ish Jugosllavisë, por si këtu tek ne, si në Kosovë, përdoren fjalë të huaja, sllavizma, e mos të flasim më për turqizma”,- theksoi një qytetar.
Edhe gjuhëtarët dhe qytetarët kërkojnë angazhim konkret institucional për respektimin e shqipes standarde.
REJHANE BUSHI-METAJ
