Maqedoni
Zgjedhjet 2016, VMRO-DPMNE e filloi fushatën në Ohër
22.11.2016 16:30
11 dhjetori do të jetë ditë referendumi, ku populli do të tregojë se i kujt është ky shtet...

Shumicë stabile me 63 deputetë do të jetë garanci që skenaret e zeza për ridefinim të shtetit nuk do të kenë sukses, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e mbrëmshëm në Ohër, prej ku nisi fushatën parazgjedhore me Koalicionin “Për një Maqedoni më të mirë”.
Gruevski dhe partnerët e tij të koalicionit besimin e qytetarëve do ta kërkojnë me programin “Realisht”, e cila përmban 500 faqe me projekte konkrete për të ndihmuar qytetarët.
Sipas programit, në katër vitet e ardhshme është planifikuar hapja e 70 mijë vendeve të reja të punës.
Gruveski sqaroi se investitorët në pesë vitet e ardhshme do të ndërtojnë hotele, fabrika në cilindo fshat në Maqedoni dhe do të krijojnë 80% vende të reja të punës. Ata do të lirohen nga tatimi në periudhën prej 10 vitesh. Gruevski paralajmëroi projekt edhe për kapacitete bujqësore.
“Çdonjëri që do të hapë çfarëdo ndërmarrje biznesi në fshatra apo qytete të cilat kanë nën dhjetë mijë banorë, do t’i ketë kushtet e njëjta ose më të mira se sa në zonat industriale. Do të lirohen nga tatimi personal për dhjetë vjet, do të lirohen nga doganat si dhe nga të ardhurat për 50% në periudhë dhjetëvjeçare. Një shans i tillë nuk është dhënë në asnjë shtet të botës. Me qëllim të regjistrimit të kapaciteteve bujqësore që u lanë pas dore gjatë tranzicionit në vitet e ‘90, do të krijojmë mundësi që investitorët të mund të marrin pronësinë e këtyre shoqatave të falimentuara. Ai që do t’i blejë këta kompani do të fitojë mbështetje financiare nga ana e shtetit për t’i regjistruar, për t’i vënë në funksion dhe për t’i punësuar njerëzit”,- u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Në programin “Realisht”, në pjesën e Ohrit përfshin ndërtimin e një qendre të kongresit, dy garazhe në kate dhe 145 banesa sociale, si dhe 500 aparate mjekësore për institucionet shëndetësore, një rrugë të re e që do të lidh Peshtanin me Ohrin.
Duke folur para të pranishmëve, bartësi i listës për deputetë në njësinë e pestë zgjedhore, Antonio Milloshovski, tha se partia e tij po përballet me një barrë të madhe nga e kaluara, siç janë fabrikat e mbyllura, armata e të papunëve, rrugët e pandërtuara. Sipas Milloshovskit, populli e din se kush hapi vende të reja të punës, fabrika dhe cila është ardhmëria e këtij vendi.
“Premtimet tona janë reale, nuk janë të shpikura, por dikush i ka menduar, janë ndarë mjete financiare nga buxheti, janë gjetur investitorë dhe ata veç më ekzistojnë dhe mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Investimet e huaja në vend nuk janë vetëm reklamë, por janë një realitet që po i ndodh Maqedonisë. Për herë të parë pas 30 vitesh janë hapur fabrika në Kërçovë, Demir Hisar, Ohër, Strugë e Manastir. Për ne interesi kombëtar nuk është në shitje, për ne Maqedonia është një, e vetme, me një kushtetutë dhe shtet me dinjitet. Ky është prioriteti i VMRO-DPMNE-së, që Maqedonia të jetë stabile dhe e suksesshme për të gjithë qytetarët”,- tha bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshovski.
Në tubimin e Koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë” kanë folur edhe përfaqësues të partnerëve të koalicionit.
Në fund të tubimit Gruevski theksoi se qytetarët duhet të zgjedhin midis dy koncepteve të ndryshme, se a do t’ia japin besimin partisë e cila në vazhdimësi hapi vende të reja të punës, ose partisë e cila në vend se të mbështetet tek popullit i vet, ajo mbështetet në fuqi të tjera dhe flet për federalizim dhe kantonizim që janë hapat e fundit për rrënimin e shtetit.
MERAL ISMAILI
