Maqedoni
Zgjedhjet 2016, LSDM e filloi fushatën nga Prilepi
22.11.2016 16:45
Me moton “Plan për jetën”, LSDM dhe partnerët e koalicionit e filluan fushatën zgjedhore në Prilep...

“Më 11 dhjetor ne do të marrim vendim se në çfarë Maqedonie duam të jetojmë”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Fëmijët tanë i kemi dërguar në fund të botës. I kemi shpëtuar nga padrejtësia në vendin e tyre. Kështu do të vazhdojmë të jetojmë, shokë, miq, nëna, prindër? Me mjerim?! Me trazira?! Edhe sa kohë mundemi të durojmë?! Paramendoni që të duhet të jetoni në këtë mënyrë edhe katër vite të reja, a mundeni ta duroni këtë? A doni? A doni edhe katër vjet regjim? Ne nuk duam! Këtu është përgjigjja! Përgjigjja është në këtë shesh sonte! Përgjigja është në zërin që ngrihet për Maqedoninë! Kjo përgjigje këtu në këtë shesh sonte duhet të derdhet brenda kutive të votimit më 11 dhjetor, në qoftë se zgjedhja juaj është jeta në Maqedoni! Ne kemi plan për jetë në Maqedoni. Pesë gjëra kyçe kemi për të bërë. Ne do të përpiqemi për paga më të larta. Do t’i mbështesim kompanitë vendore drejtpërdrejt nga buxheti. Kjo do të hapë vende të reja pune, paratë do të shkojnë te qytetarët, institucionet do të punojnë vetëm për qytetarët, trajtim falas do të ketë në spitale, do të ketë drejtësi...”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
LSDM premton që nëse i fiton zgjedhjet, paga mesatare do të jetë jo më pak se 30.000 denarë. 15 për qind e tatimit mbi vlerën e shtuar nga llogaritë fiskale do t’u kthehet qytetarëve, do të kthehet tarifa e lirë e energjisë elektrike...
“Jemi bashkë me të vetmin qëllim, të kthejmë jetën në Maqedoni! Luftuam zëshëm për drejtësi dhe që të kemi paqe. Sot Prilepi jep një mesazh të qartë, ndryshimet po vijnë. Qytetarët janë me ne dhe ne nuk do të lejojmë më që të na e vjedhin bukën nga goja e fëmijëve tanë për të mbushur xhirollogaritë në shtetet e huaja”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev premtoi se secili që ka vjedhur nga qytetarët do të mbajë përgjegjësi dhe do ua kthejë të hollat qytetarëve.
Sipas tij, plani i LSDM-së për të kthyer jetën normale në Maqedoni kërkon mbështetjen e të gjithëve, sepse mbështetja e këtij plani do të thotë se në këtë shtet do të ketë jetë, jetë për të gjithë.
BESIM ABDULLAI
