LSM padi kundër Remenskit
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka ngritur kallëzim penal kundër ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Tashevska-Remenski...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka ngritur kallëzim penal kundër ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Tashevska-Remenski, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.
Kryetari i LSM-së, Zhivko Mitrevski, thotë se në bazë të dokumentit të falsifikuar për vendim të marrë nga gjoja seanca e mbajtur e Këshillit të LSM-së, ajo ka marrë vendim për ndërrimin e tij nga vendi si kryetar.
Në konferencë për shtyp, si sot tha se në kundërshtim me statutin dhe rregulloren e LSM-së, Tashevska-Remenski dhe kryetarët e katër degëve të sindikatave më 13 nëntor kanë mbajtur seancë të Këshillit të LSM-së, për të cilën nuk kanë qenë të informuar kryetarët e 13 degëve tjera të sindikatave.
Ata kanë kërkuar revokim të Mitrevskit dhe vendimi, i cili, sipas Mitrevskit, është falsifikuar dhe jo i plotë, iu parashtrua Remenskit.
Ditën e ardhshme ajo në bazë të atij dokumenti ka marrë vendim, me të cilin, tha Mitrevski, "pranohet kërkesa për regjistrim të ndryshimit të personit të autorizuar për përfaqësimin e LSM-së", edhe pse dokumentacioni nuk u nënshkrua nga person adekuat, nuk ka pasur vulë, as numër arkivor të LSM-së.
Sipas Mitrevskit, bëhet fjalë për komplot, tentim për puç dhe precedent të paparë në historinë e organizimit sindikal në Maqedoni.
Ai shtoi se padi penale kanë ngritur edhe kundër pjesëmarrësve tjerë, si: Lazar Georgiebski, i punësuar në NP “Higjiena komunale - gjelbërime publike”, i cili e ka nënshkruar dokumentin e falsifikuar, ku, siç tha Mitrevski, është paraqitur si kryesues i Këshillit. Padi penale janë ngritur edhe kundër katër kryetarëve të degëve të sindikatave.
