Maqedoni

Testimi ekstern në muajin qershor

29.04.2014 18:19

Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ka kaluar nën hijen e gabimeve të shumta gjuhësore dhe përmbajtësore...

Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ka kaluar nën hijen e gabimeve të shumta gjuhësore dhe përmbajtësore.
 
Edhe pse ishte i paralajmëruar dënimi i arsimtarëve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani. Mësimdhënësit përkrahin testimin e njohurive të nxënësve, por thonë se disa gabime nuk duhet të përsëriten.
 
“Ndoshta nuk do të duhet të realizohet përmes kompjuterit dhe testimi ekstern duhet të jetë dy herë në vit dhe në përfundim të vitit deri në muajin prill. Duhet të merret parasysh e tërë puna e mësimdhënësve para se të dënohen, siç janë projektet, përgatitjet, garat dhe elementet e tjera që hynë në testimin ekstern”, theksoi  ndihmësdrejtori në shkollën e mesme të Autotrafikut, Zeqirja Zeqiri.
 
Nxënësit thonë se gabimet teknike dhe përmbajtësore nuk duhet të lejohen, sepse notat ndikojnë në suksesin e përgjithshëm.
 
"Të realizohen testimet eksterne, sepse na kontrollojnë neve çka kemi mësuar gjatë vitit dhe mos të ketë dënime, të mos jetë në mënyrë kompjuterike, por në mënyrë normale”, u shpreh një nxënës.
 
“Në lëndën e biznesit ka pas pyetje që kanë pas lidhje me sportin, që është absurd, nuk duhet të jetë kjo pyetje, sepse nuk është sipas planprogramit”, potencoi një nxënës tjetër.
 
Testimi ekstern do të realizohet në fillim të muajit qershor, ndërsa nxënësit për të gjitha gabimet do të mund të parashtrojnë ankesa deri te Qendra Shtetërore e Provimeve.
 
FLUTURA LATIFI