Maqedoni
Zgjedhjet 2016, BDI prezantoi platformën zgjedhore
22.11.2016 17:25
Bashkimi Demokratik për Integrim ka shpalosur platformën politike mbi bazën e të cilës synon të qeverisë gjatë mandatit 2016-2020...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se garojnë me një program të cilin e kanë hartuar kuadro të dëshmuar të partisë nga fusha të ndryshme.
Sipas tij, në të janë përfshirë të gjitha mundësitë reale në mënyrë që i njëjti të mund të zbatohet përgjatë një mandati.
Ahmeti gjithashtu tha se programi i hartuar ka edhe përgjegjësi, duke shtuar se ekipi që udhëheq ai do t’i dalë zot realizimit të tij, prandaj, siç tha ai, programi është publikuar në ueb faqe për të dhënë mendimet dhe sugjerimet të gjithë ata që mendojnë apo që nuk kanë arritur të kontaktohen nga hartuesit e tij.
“Për hartimin e programit kanë kontaktuar edhe njerëz të biznesit të grupeve të ndryshme të interesit”,- tha në vazhdim Ahmeti.
Ai programin e cilësoi si një pasuri që e kanë derdhë energjinë e tyre intelektuale specialistë të dëshmuar me punët e tyre.
“Publikojmë platformën dhe programin e BDI-së që përmban një agjendë, një mandat nga 2016-2020. Për këtë platformë e program kanë punuar 117 kuadro të fushave përkatëse, fushës së arsimit nga specialistë më të mirë që kemi ne, të fushës së mjekësisë, nga kuadro e specialistë të fushave të inxhinierisë e të bujqësisë të fushave të drejtësisë e të ambientit. Kanë bërë përpjekjet dhe punën e angazhimin e tyre maksimal për të na dhënë ne një program të kompletuar e të hartuar si është më së miri, por jo edhe të ekzagjeruar apo teoretizuar. Janë përfshirë të gjitha mundësitë tona reale që për një mandat duhet të materializohen dhe realizohen nga të gjitha kuadrot që do të ngarkohen me përgjegjësi. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi të hapur me të gjithë ata që mendojnë që mund të kontribuojnë për të mirën e përgjithshme, sepse nga ky program nuk fiton një grup, apo BDI, fitojnë të gjithë shqiptarët, fiton i tërë komuniteti në Maqedoni, pa dallim se i kujt komb apo kombësie është ai”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Të pranishmëve ju drejtua edhe bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore, Artan Grubi. Ai u përqendrua në sundimin e ligjit dhe çështjen e integrimit.
Lidhur me sundimin e ligjit, Grubi tha se BDI ka vendosur që në program t’i përfshijë të gjitha rekomandimet urgjente të KE-së që dolën si rezultat i marrëveshjes së Shkupit, rekomandimet e Pribesë, rekomandimet nga dialogu paraqasës me BE-në, të cilat së bashku me rekomandimet e MO-së të zbatohen në programin 2016-2020.
Ndërkaq, integrimin Grubi tha se BDI e koncepton në tre nivele.
“Platforma e BDI 2016-2020 integrimin e koncepton në tre nivele dhe në tre fusha. E para, integrimi në vend, barabarësi e plotë mes komuniteteve në vend, mes të gjithë qytetarëve. E dyta integrimi në rajon, një rajon fare pa kufi, siç kemi bërë me Kosovën dhe Shqipërinë, duke i rrëzuar kufijtë dhe duke lejuar kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftime midis qytetarëve tanë. Fusha e tretë e integrimit është integrimi në strukturat euroatlantike, aty ku edhe natyrisht përkojmë edhe si komunitet shqiptar, por edhe si vend, edhe si rajon”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një nga BDI, Artan Grubi. BDI do të zbatojë këtë program të inkorporuar bashkërisht me programet e partive tjera që do të jenë participiente në qeverisjen e ardhshme, shtoi Grubi.
Ndërkohë, bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore, Ejup Halimi, foli për angazhimin e partisë për vendimmarrje me konsensus midis dy komuniteteve më të mëdha në vend. Ai tha se pjesë e programit të BDI-së vazhdon të mbetet prioritet kjo çështje, duke thelluar atë edhe në fusha tjera. Sipas tij, konsensusi është i nevojshëm, pasi që vendimet që janë miratuar pa konsensus midis etnive më të mëdha në vend janë treguar jofunksionale, siç ishte rasti me zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Ne do t’i thellojmë këto politika konsensuale edhe në institucione të tjera, siç është në qeveri, e potencova për kryetarin e shtetit, çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, çështjet që kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjes së emrit, integrimet euroatlantike, investimet publike në nivel qendror dhe lokal dhe miratimin i buxhetit”,- u shpreh bartësi i listeës në njësinë zgjedhore numër dy nga BDI, Ejup Halimi.
“Në katër vitet e ardhshme asnjë familje shqiptare të mos mbetet pa një të punësuar, është një ndër qëllimet e pjesës ekonomike nga programi”,- porositi shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.
Sipas tij, në vitet e kaluara, falë politikave të BDI-së, janë hapur tre zona të lira ekonomike në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë, të cilat kanë sjellë tre kompani.
Ndërkohë, Xhevat Ademi, theksoi se prioritet i BDI-së në katër vitet e ardhshme do të jetë dygjuhësia, gjegjësisht përdorimi zyrtar i saj.
Sipas tij, aplikimi i dygjuhësisë është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe, siç tha, jo vetëm për komunikim, por edhe për dimensionin ekonomik, sepse faktor dominant në rajon është tregu shqiptar dhe kosovar.
Në mandatin e ardhshëm, përveç Ligjit për dygjuhësi, Ademi tha se do të sjellin edhe ligj për formimin e institucioneve që do të jetë mekanizëm për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
NAIM RAMADANI
