Botë

Vdekja e Astrit Deharit, suspendohen katër zyrtarë burgut të Prizrenit

22.11.2016 18:07

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës ka shqiptuar masën e suspendimit për katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren....

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës ka shqiptuar masën e suspendimit për katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren pas inspektimit të procedurave te ndjekura me rastin e vdekjes së aktivistit të lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Duke njoftuar për suspendimin, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se Inspektorati i kësaj ministrie "gjatë inspektimit nuk ka gjetur asnjë veprim të institucionit, i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit, edhe pse janë identifikuar disa neglizhenca procedurale".

Si pasojë e këtyre neglizhencave "janë iniciuar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari korrektues, dy mbikëqyrësve, si dhe ushtrues të detyrës së drejtorit, të cilëve u është shqiptuar edhe masa e suspendimit si masë paraprake",- theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Por, familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë pajtuar me qëndrimin e institucioneve se Astriti ka bërë vetëvrasje dhe kanë kërkuar autopsi jashtë vendit, ndërsa nëpër qytetet e Kosovës vazhdojnë protestat me moton “Drejtësi për Astritin”.

Protesta sot u mbajtën në qytetin e Prizrenit, ku u kërkua dorëheqje edhe nga ministrja  e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.