Botë
Turqia tërheq projektligjin që fal përdhunuesit e të miturve
22.11.2016 21:27
Kryeministri turk Binali Yildirim ka tërhequr projektligjin që do të falte burrat e akuzuar për përdhunimin e vajzave të mitura...

Kryeministri turk Binali Yildirim ka tërhequr projektligjin që do të falte burrat e akuzuar për përdhunimin e vajzave të mitura, nëse ata martoheshin me viktimat e tyre. Qeveria veproi pak para se legjislacioni i diskutueshëm të shkonte për votimin final në parlamentin e dominuar nga partia në pushtet e presidentit Erdogan.
Projektligji ishte nxitur protesta masive dhe ishte kritikuar gjerësisht edhe nga ndërkombëtarët. Kritikët argumentuan se kjo do të legjitimonte dhunimin e vajzave të mitura dhe do të inkurajonte praktikën e martesës që në moshë të vogël. Edhe agjensi të Kombeve të Bashkuara i kishin bërë kërkesë qeverisë për të mos aprovuar projektligjin, duke argumentuar se kjo do të dëmtonte fuqinë e shtetit për të luftuar abuzimin seksual dhe martesën e fëmijëve.
Megjithatë, qeveria është kundërpërgjigjur duke thënë se qëllimi kryesor i këtij ligji është të falë burrat e burgosur që janë martuar me vajza të mitura, me pëlqimin e tyre ose të familjeve të vajzave. Mosha ligjore për martesë në Turqi është 18 vjeç, por martesa e të miturve mbetet sërish një fenomen i përhapur.
Kryeministri turk tha se projektligji po kthehej mbrapsht për të lejuar një konsensus më të gjerë dhe për t’i dhënë kohë partive opozitare për të zhvilluar propozimet e tyre. Këto të fundit e kishin kritikuar haptazi këtë legjislacion.
Kundërshtarë të fuqishëm të këtij projektligji ishin edhe grupet për të drejtat e femrave. Lidhur me problemin e martesës së fëmijëve, këto grupe mendojnë se të tilla legjislacione të debatueshme, nuk janë zgjidhja e duhur. Aktivistët nuk kursyen as kritikat për partinë e presidentit Erdogan, që sipas tyre ka inkurajuar poshtërimin e femrave, duke i quajtur të mangëta, ato gra që nuk mund të kenë fëmijë.
