Maqedoni

“CIVIL” me raport për zgjedhjet

29.04.2014 18:27

Organizata joqeveritare “Civil”, prezantoi raportin e saj për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor...

Organizata joqeveritare “Civil”, prezantoi raportin e saj për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
 
Sipas këtij raporti, vëzhguesit e kësaj organizate kanë evidentuar disa parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Problemet me listën zgjedhore, blerja e votave, grumbullimi i letërnjoftimeve, votuesit fiktiv dhe problemi me markerin, janë disa parregullsi të regjistruara në raportin e organizatës “Civil”.  
 
Edhe sivjet votuesit e Pustecit të Shqipërisë kanë votuar në Tiranë dhe Shkup, thonë drejtuesit e “ Civilit”.
 
“Edhe pse ishin në listë si shtetas të Shqipërisë dhe ishin të regjistruar në listën e atjeshme zgjedhore, këto persona erdhën edhe këtu me transport të organizuar. Të paktën kështu flasin të dhënat nga tereni. “Civili” disponon edhe me fotografi të dy makinave që bënin transportin e votuesve të Pustecit. Votuesit e Pustecit ishin të evidentuar në Resnjë, Butel, Qender, Kisella Vodë, Kërçovë dhe Arodrom”, u shpreh nga organizata “Civil”, Meri Jordanovska.
 
Kryetari i OJQ-së “Civil”, Xhabir Deralla, theksoi se në Maqedoninë lindore, 1 person ka votuar për 30 persona tjerë, me arsyetimin se ata nuk dinë shkrim-lexim, ndërsa në një vendvotim tjetër kanë votuar edhe persona të mitur.
 
Raporti i “Civil-it” që përmban 250 raste të evidentuara të parregullsive gjatë procesit zgjedhor, është dorëzuar deri te KSHZ-ja, thotë Deralla, por sipas tij, ky institucion ju është kundërpërgjigjur se raporti nuk do të shqyrtohet nga KSHZ-ja, sepse këto të dhëna konsiderohen vetëm si informacione.
 
SANIJE KASAMI