Maqedoni

Lëvizja e lirë, qytetarët dhe agjencitë turistike të kënaqur; Bizneset insistojnë:Terminali doganor në Jazhincë, domosdoshmëri

23.11.2016 15:54

Lëvizja vetëm me letërnjoftime e qytetarëve të Maqedonisë drejt Shqipërisë dhe Kosovës...

Lëvizja vetëm me letërnjoftime e qytetarëve të Maqedonisë drejt Shqipërisë dhe Kosovës ka ndikuar për mirë jo vetëm në shtimin e vizitave të qytetarëve të të dyja vendeve që kanë lidhje familjare mes tyre, por edhe për shtimin e lëvizjes së studentëve, biznesmenëve, turistëve, madje edhe të vizitorëve ditorë, sidomos nga Kosova, që tashmë me lehtësimet e reja e shohin Shkupin edhe si një vend shopingu dhe argëtimi. 
 
“Kemi familje në Kosovë, kështu që me lëvizjen e lehtë me letërnjoftime nuk mbaj tani llogari a kanë ose jo pasaporta dhe a mund të kalojnë ose jo në kufi, sidomos për ata familjarë që janë në diasporë, ata kanë lehtësime mjaftë shumë nga kjo”,- u shpreh një qytetar.
 
“Më shpesh shkojmë tani se sa para lehtësimit të qarkullimit të lirë me letërnjoftime, se atëherë është dashur që të kemi dhe tregojmë pasaportën, mandej ndoshta ndonjë anëtari të familjes i ka kaluar afati i pasaportës, ndërsa tani del vetëm me një letërnjoftim”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Më mirë është tani, nuk ke nevojë të kesh dhe të tregosh pasaportë për në Kosovë”,- theksoi një qytetar.
 
“Tani më shpesh shkojmë në Kosovë për shkak udhëtimit me letërnjoftime, nuk kërkojnë pasaportë”,- tha një qytetar. 
 
Agjencitë turistike thonë se lëvizja pa pasaportë ka shtuar fluksin e turistëve, sidomos drejt Shqipërisë gjatë verës. Por, ata kërkojnë që gjatë muajve turistikë, policia kufitare të jetë më fleksibile gjatë kalimit të autobusëve në kufij, për të evituar radhët e makinave. 
 
“Shpresoj të ndryshojnë procedurat në kufi që të ketë më shumë lehtësime, edhe pse ka lehtësim me letërnjoftime, por prapë kur është sezoni punohet më ngadalë”,- deklaroi pronari i Agjencisë “Marigona”, Sinan Ameti.
 
Derisa qytetarët dhe agjencitë turistike janë të kënaqur me lehtësimet që sjell lëvizja pa pasaporta, bizneset kërkojnë që të mendohet edhe për ta. 11 500 kompani operojnë në zonën e Pollogut dhe OEMVP prej 2006 kërkojnë hapjen e një terminali të ri doganor në Jazhincë, që do të shkurtonte kohën dhe harxhimet për zhdoganimin dhe lëvizjen e lirë të mallrave. 
 
“Duke pasur parasysh terrenin e rrugës në grykën e Kaçanikut, që ka kohë pas kohë defekte, ne jemi të detyruar në moment kur mbyllen rrugët që mallin ta transferojmë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në Kosovë, prandaj hapja e këtij terminali është një nevojë shumë e rëndësishme”,- u shpreh anëtari i OEMVP-së, Xhemail Dauti.
 
Për momentin, lëvizja e mallrave mes Maqedonisë dhe Kosovës bëhet vetëm përmes pikës kufitare të Bllacës. OEMVP pret që kërkesa e tyre të pranohet nga Qeveria e Maqedonisë, pasi tashmë kanë marrë konfirmim nga Ambasada e Kosovës se nga pala e tyre ka gatishmëri që edhe kjo çështje të zgjidhet me të njëjtin përkushtim si u zgjidh edhe çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy shteteve. 
 
REXHEP QAMILI