Maqedoni
Zgjedhjet 2016, LSDM takime në Draçevë dhe Aerodrom
23.11.2016 16:19
LSDM-ja takimet me qytetarët i zhvilloi në lagjet e kryeqendrës, Draçevë dhe Aerodrom...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, u përqendrua në gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe parashtroi pesë detyrat kryesore të cilat i ka kjo parti për zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e gjendjes, siç janë pagë minimale prej 16 mijë denarësh, qeverisja e drejtë dhe me përgjegjësi.
Sipas tij, plani i LSDM-së është plan i qeverisjes së drejtë që garanton shpresë.
“Firmat e vendit do t’i përkrahim me 140 milion euro, në vend që të marrin nga 2 euro ndihmë nga shteti në nivel vjetor. Në këtë mënyrë do të hapen vende të reja të punës, do t’i mundësojmë çdo të riu, i cili do të kryej shkollimin, të ketë vend pune, t’i ofrojmë punë deri në studime ose trajnime praktike që të mund të ndërtojë karrierë në tregun e punës dhe të qëndrojë në vend. Po përfundon koha e kësaj qeverisje. Ata jo vetëm që do të përgjigjen para drejtësisë, por edhe paratë e vjedhura do t’i kthejnë nga të gjitha projektet kriminale dhe korruptive të cilat i kanë bërë. Të gjitha paratë në shtet do t’i drejtojmë nga qytetarët. Secilit do t’i kthejmë 15% të BPV-së së përgjithshme. Të gjithë paguajmë tatime për vlera shtesë. Nëse shpenzojmë 10.000 denarë në llogari, do të kemi 1800 denarë tatim, 15 për qind të tatimit do ta kthejmë te të gjithë. Kjo në numra i bie mesatarisht 30 000 denarë për familje në Maqedoni. Të gjitha institucionet do të punojnë për qytetarët dhe jo për qeverinë. S’do të ketë si deri tani pacientë të cilët vdesin në korridoret e spitaleve, të lusin për përkujdesje derisa për përfaqësuesit e kësaj qeverie i ofrojnë vetes kushte luksoze në klinika private. Shërbimet spitalore do të jenë të njëjta për të gjithë, asnjë mos të shqetësohet se a do të ketë para që të paguajë për shëndetin e tij”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev porositi qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj lufte, sepse, sipas tij, çdonjëri është i rëndësishëm. “
Kjo është luftë për jetën e çdonjërit nga ju. Për jetë në Maqedoni, për jetë për të gjithë ne! Më 11 dhjetor rrethoni numrin 4 për jetë në Maqedoni”,- tha Zaev.
LSDM vazhdon fushatën zgjedhore sot në takime me qytetarët e Demir Hisarit dhe Kërçovës.
LEUNORA KALIQI
