Maqedoni
Zgjedhjet 2016, Lëvizja “Besa” mbajti konventën zgjedhore
23.11.2016 16:28
Lëvizja “Besa” mbajti konventën promovuese të kandidatëve për deputetë në të gjitha pesë njësitë zgjedhore në të cilat garon në zgjedhje të 11 dhjetorit...

Me moton “Rilindje me Besë”, në konventë u promovuan platforma dhe shtyllat e programit zgjedhor, “Ridefinimi” i sistemit politik e juridiko-kushtetues të shtetit me ndryshimet kushtetuese ligjore, zhvillimi i barabartë dhe i balancuar i vendit etj.
Kryetari i “Rilindjes me Besë”, Bilall Kasami, tha që do ta bëjnë ridefinimin e këtij shteti dhe tani është momenti për një gjë të tillë.
“O sot, o kurrë do të bëhet ridefinimi i këtij shteti. O sot, o kurrë, ne do të jemi të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi në ndërtimin e këtij shteti. Në skenë, në politikë vijnë politikanë të cilët do të jenë në shërbim të popullit të tyre. Ndoshta nuk jemi më të mirët e këtij populli, por ajo që do të bëjmë është se ne do të nxjerrim më të mirën nga ky popull dhe do ta vëmë në shërbimin tuaj”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Në platformën e Lëvizjes “Besa” kërkohet depolitizimi dhe departizimi i sistemit të drejtësisë, i sistemit të sigurisë dhe i administratës, ndarja e re territoriale zhvillimore dhe decentralizimi i plotë i pushtetit qendror në pushtetin lokal, liria dhe pavarësia e mediave, si dhe lufta kundër secilës formë të korrupsionit.
Shefi i shtabit zgjedhor, Afrim Gashi, tha që do të rritet cilësia në të gjitha sferat e jetës me miratimin e platformës se tyre.
“Do ta bëjmë që shqiptarët në Maqedoni të kenë jetë të dinjitetshme, këtë proces politik që e kemi nisur, e kemi sublimuar me një term politik që quhet “ridefinim”, këtë fjalë e keni dëgjuar shpesh, por unë sonte vetëm disa fjali do t’i them që ta keni të qartë për çka bëhet fjalë. “Ridefinim” do të thotë që do të hapim vende të reja të punës, “ridefinim” do të thotë që do të rritet gjendja ekonomike në vend, të kemi shëndetësi të mirë dhe mjekë të përgjegjshëm, “ridefinim” do të thotë të kemi kulturë shqiptare, filma, ekspozita, botime të financuara nga Ministria e Kulturës, “ridefinim” do të thotë të kemi arsim cilësor”,- theksoi shefi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes “Besa”, Afrim Gashi.
Ndër shtyllat e programit zgjedhor ishte edhe ndërtimi i një sistemi shëndetësor të kapshëm, cilësor dhe financiarisht stabil, fuqizimi i shëndetësisë publike, sigurimi i shërbimit primar shëndetësor për çdo qytetar, përfaqësimi adekuat dhe proporcional në institucionet shtetërore, si dhe integrimi i vendit në NATO dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
