Botë

Edi Rama: Greqia t’u lejojë çamëve të vizitojnë pronat

23.11.2016 16:43

“Të hiqet ligji i luftës, çamët kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre në Greqi”...

Është kjo kërkesa e kryeministrit, Edi Rama, drejtuar autoriteteve greke gjatë një interviste me gazetarin e Televizionit SKAI. Shqipëria nuk ka pretendime për ndryshim kufijsh dhe mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet mbetura pezull është ulja në bisedime. 
 
“Nuk ka asnjë hartë të asnjë Shqipërie të madhe në asnjë libër shkolle. Nuk kemi asnjë pretendim dhe askush tjetër nuk mund të ketë pretendime të tilla të llojit si ndryshimi i kufijve…Këta njerëz janë çrrënjosur nga shtëpitë e tyre në Greqi dhe kanë të drejtën të kthehen nëse duan, kanë të drejtën të pretendojnë pronat e tyre në qoftë se duan. Atëherë përse nuk e heqim këtë ligj të gjendjes së luftës, sepse ai është pengesë që ata të shkojnë përmes sistemit ligjor”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Kryeministri shqiptar thotë se mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve është dialogu. Sipas tij, interesat e shqiptarëve dhe të grekëve janë më të mëdha se problemet politike.
 
LULJETA NDOKA