Maqedoni

Zgjedhjet 2016, BDI prezantoi platformën për gjuhën dhe arsimin shqip

23.11.2016 16:52

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me prezantimin e pikave të veçanta të platformës politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit...

Kandidatët për deputetë të zonës së parë zgjedhore prezantuan sot njërën nga këto pika, rrumbullakimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
 
Nga BDI thonë se edhe pse narrativi shoqëror maqedonas ishte dramatik për ndryshimin e Kushtetutës, Ligjin për amnisti, Ligjin për ndarje territoriale, decentralizimin, përdorimin e gjuhës shqipe në shumë instanca shtetërore dhe lokale, përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar, themelimin e dy universiteteve shqiptare, punësimin e rreth 25.000 shqiptarëve në administratë, ngritjen e shqiponjës në Çair dhe shumë projekte të tjera kombëtare të BDI-së u tregua se asgjë e keqe nuk i ndodhi as Maqedonisë e as popullit maqedonas. Përkundrazi, shoqëria jonë u bë më e barabartë, më tolerante dhe me kohezive dhe si rezultat i këtyre të arriturave Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe u vlerësua si shembull i zbatimit të një marrëveshje paqeje. Pikërisht kjo do të ndodhë përsëri me miratim e një ligji të veçantë për përdorimin e gjuhës shqipe në përbërjen e re parlamentare.
 
Maqedonia do të bëhet edhe më e fortë, më e barabartë... Sa i përket rregullativës kushtetuese, gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare, mirëpo përvoja shumëvjeçare po dëshmon se në praktikë që të dyja partitë kryesore maqedonase kanë cenuar kushtetutën, duke mos treguar gatishmëri për ta rrumbullakuar këtë çështje të ngelur pa u përfunduar nga Marrëveshja e Ohrit.
 
Prandaj, shtyllë kyçe e programit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim është pikërisht rregullimi i përdorimit të gjuhës shqipe me gjuhën tjetër zyrtare edhe atë në të gjitha nivelet në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, thonë nga BDI.
 
“Duke i pasur parasysh të gjitha vërejtjet, Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë qeverisjes në periudhën 2016 – 2020 angazhohet për sa vijon: të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta dhe të pranohet gjuha si një element i rëndësishëm i identitetit dhe si një mjet për forcimin e identifikimit me shtetin dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërmjet bashkësive. Të sillet një ligj më gjithëpërfshirës për përdorimin e gjuhëve, i cili do të ishe i harmonizuar me Amendamentin 5, të nenit 7 të Kushtetutës. Të rregullohet e drejta e të gjithë qytetarëve për t’iu drejtuar institucioneve qendrore edhe në gjuhën shqipe, pavarësisht nga vendbanimi i tyre, e drejta e përkthimit të legjislacionit sekondar në shqip, lëshim me automatizëm të dokumenteve personale në gjuhët zyrtare për qytetarët e komunitetit shqiptar, kryesim me seancat parlamentare në gjuhën shqipe, të sqarohen dispozitat gjuhësore në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale, përfshirë Qytetin e Shkupit, standardizimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare për të gjitha shenjat publike, zbatim të plotë dhe promovim të të drejtave gjuhësore në sektorin gjyqësor... Në aspektin praktik do të jetë e nevojshme edhe për disa forma institucionale të cilat do ta rrisnin cilësinë e përdorimit të gjuhës shqipe, edhe atë:monitorim dhe mekanizma të mbikëqyrjes për zbatimin e tij, për shembull duke rikrijuar një grup punues ndërministror. Krijimi i qendrave rajonale të përkthyesve dhe interpretuesve për të mbështetur autoritetet lokale, themelimi i institucioneve për monitorim te përdorimit të gjuhës, për kontroll të standardit dhe cilësisë dhe sanksionim të keqpërdorimeve ose përdorimit joadekuat të gjuhës shqipe”,- tha bartësi i listës në zonën e parë zgjedhore nga BDI, Artan Grubi. 
 
Sipas Grubit, partitë maqedonase duhet të angazhohen për ligjshmëri dhe rrjedhimisht ta zbatojnë amendamentin 5 të nenit 7 të Kushtetutës, i cili është shumë i qartë dhe ajo që ka nevojë është harmonizimi i rregullativës ligjore me Kushtetutën.
 
“Edhe pse përdorimi i gjuhës shqipe u avancua dy herë radhazi nga ana e BDI-së, rregullativa e tashme ka disa kufizime për disa nivele të pushtetit, si parlament, gjyqësi, ekzekutiv, pushtet lokal, por ka edhe konfuzion lidhur me përdorimin individual”,- tha Grubi.
 
Nevoja për ndryshim të kornizës ligjore rrjedh edhe nga analiza kuantitative dhe kualitative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila u realizua me përkrahje të komunitetit ndërkombëtar dhe ishte kërkesa e Komisionit Evropian, përkujtojnë nga BDI, duke potencuar se askush nuk duhet të frikësohet nga barabarësia që po vjen pas 11 dhjetorit. 
 
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim zotohen se një ndër prioritetet e tyre me rëndësi është edhe funksionimi në mënyrë sa më të mirë dhe adekuat i Universitetit të sapoformuar “Nënë Tereza”, prandaj nga kjo parti thonë se ashtu siç premtuan dhe themeluan Universitetin “Nënë Tereza”, nëse i fitojnë zgjedhjet e dhjetorit, do të angazhohen në rritjen e buxhetit për këtë universitet.
 
Gjithashtu nga BDI premtojnë ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”. Plani detal urbanistik është siguruar, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm planifikohet ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”. 
 
“Sot po premtojmë se politikat e BDI-së në krye me Ali Ahmetin po vazhdojnë rrugën e implementimit të këtij projekti gjigant dhe historik për shqiptarët në historinë e RM-së. BDI i ka marrë të gjitha masat që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të bëjë rritjen e buxhetit nga viti në vit, që do të thotë kemi rritje të buxhetit, kryesisht për ato kapitale në vitin 2015, nga 2015 në 2016, dhe tash në vitin 2017 kemi rritje të buxhetit në Ministrinë e Arsimit për 2 miliard denarë. Dua t’u informoj se për objektin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup është siguruar plani detal urbanistik, po ashtu nga ana e universitetit është duke u përgatitur koncepti dhe plani i universitetit në bazë të të cilit Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë konkurs për zgjedhje, që do të thotë nga viti i ardhshëm planifikohet ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup”,- theksoi Pishtar Lutfiu nga BDI.
 
Universiteti “Nënë Tereza” për momentin funksionon me pesë fakultete dhe me një staf akademik prej 84 personave. 
 
ERSAN PAJAZITI