Maqedoni

Zgjedhjet 2016, Gruevski: jemi për bashkëjetesë, jo për federalizim

23.11.2016 17:37

Azhurnimi i autostradës Kërçovë-Ohër, ndërtimi i seksionit të autostradës Trebenishtë-Strugë, restaurimi i rrugëve lokale dhe rajonale...

Azhurnimi i autostradës Kërçovë-Ohër, ndërtimi i seksionit të autostradës Trebenishtë-Strugë, restaurimi i rrugëve lokale dhe rajonale, ndërtimi i sistemeve të kanalizimit, blerja e pajisjeve moderne mjekësore, hapja e kopshteve të reja për fëmijë, ndërtimi i palestrave sportive të shkollave dhe renovimi i pishinës janë pjesë e projekteve për Strugën të parapara në programin "Realitet" të VMRO–DPMNE-së dhe  koalicionit "Për Maqedoni më të mirë", theksoi mes tjerash në takimin me qytetarët në qytetin e Strugës lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Ai gjithashtu pyeti qytetarët nëse e përkrahin dygjuhësinë dhe federalizimin, të cilat, sipas tij, i promovon LSDM.
 
“Të nderuar qytetarë, t’u pyes: a përkrahni federalizimin dhe dygjuhësinë në të gjithë territorin? Të gjithë ne e dimë përgjigjen, e cila shihet në sytë e bashkëqytetarëve tanë në çdo vend ku shkojmë dhe nuk është mëkat të mendohet ashtu, përkundrazi, është e drejtë të mendohet ashtu. Kjo nuk do të thotë se nuk është e nevojshme bashkëjetesa dhe mirëkuptimi, se nuk është e nevojshme toleranca, bashkëpunimi me të gjitha bashkësitë etnike, por kjo do të thotë se nuk mund të lëshohet shteti e të trajtohet si eksperiment dhe nga dita në ditë të ndërrohet nga rrënjët, thelbi dhe identiteti i saj. Ky është qëllimi përfundimtar, ky ishte qëllimi i krizës dhe çdonjëri i cili nuk besoi apo kishte dyshime, tani e ka të qartë. Duket skenari i cili u shtri në shtetin tonë, ndërsa me rëndësi është që kësaj here të dëgjojnë dhe kuptojnë thirrjen tonë dhe rëndësinë e këtyre fjalëve për ardhmërinë e shtetit. Me rëndësi është që të gjithë të bashkohemi dhe mos të lejojmë që Maqedonia të jetë viktimë e gjendjes që na solli LSDM dhe Zaev, dhe të cilën duam të krijojmë me deklarata që kanë qëllim të rrezikshëm dhe serioz, dhe ajo është ridefinim komplet i shtetit. Maqedonia nuk mund të jetë eksperiment i askujt!”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Në të njëjtën vijë në paraqitjen e tij ishte edhe kandidati për deputet i VMRO-së, Antonio Milloshovski.
 
“VMRO-DPMNE dhe “Koalicioni për Maqedoni më të mirë” ndërtojnë për të gjithë dhe ndihmojnë çdonjërin. Ne deri tani ishim opsion qeverisës dhe do të jemi edhe pas 11 dhjetorit. Të gjithë shokë, familjarë dhe fqinjë të dalin në votime e të kemi fitore bindëse, të kemi pozitë më të mirë, që të kemi mundësi t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit tanë edhe pas zgjedhjeve. Disa thonë se Zaevi dhe Sheqerinska nuk kanë bërë asgjë, nuk është e vërtetë, ata kanë krijuar një krizë politike të madhe në dëm të Maqedonisë dhe për këtë do ta marrin përgjigjen e merituar më 11 dhjetor. Në vend që të kemi federalizim, në vend që të kemi tensione ndëretnike dhe kriza nga ide të rrezikshme, më mirë është të kemi Maqedoni kushtetuese unitare të fortë dhe stabile, si dhe ekonomikisht të përparuar”- theksoi bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshovski.
 
Sot, në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” do të takohen me qytetarët e Negotinës dhe Kavadarcit. 
 
LEUNORA KALIQI