Maqedoni

Zgjedhjet 2016, Thaçi: amnisti fiskale dhe standard jetësor

23.11.2016 17:52

Amnisti fiskale dhe kujdes të veçantë për shqiptarët që jetojnë në zona me shumicë joshqiptare...

Ishte ky premtimi elektoral i kreut të PDSh-së, Mendu Thaçit, gjatë paraqitjes në tubimin në Cërnilishtë të Dollnenit.
 
Ai ftoi banorët e kësaj ane që të mbështesin projektin e PDSh-së për të rritur cilësinë e jetesës në Maqedoni dhe për të rikthyer vendin në rrugën euroatlantike.    
  
“Ne kemi projekt të saktë dhe të sigurt. Nuk do të tolerojmë që represioni i Qeverisë së Maqedonisë dita-ditës të shtohet në variante dhe në mënyra të tjera. Herë bën represion policia, herë “shumari”, herë bën represion “izvërshitelli” dhe shpeshherë bëjnë represion këta shqiptarë që janë në pushtet. Këta duhet të ndryshohen! Duhet të vijë ndryshimi i madh! Dhe, nëpërmjet votës së lirë, ne duhet t’i themi gjithë botës së përparuar, Amerikës, Evropës, Kosovës dhe Shqipërisë se ne jemi jashtëzakonisht të pakënaqur me këtë gjendje që e kemi! Nuk mund kështu të na maltretojnë. Nuk na japin as ndihma sociale, as nuk na i punësojnë fëmijët, as na e rregullojnë infrastrukturën, as kemi mbrojtje shëndetësore si duhet, e në të njëjtën kohë na penalizojnë. Nëse nuk paguajmë një faturë për ujë pesë euro, apo një faturë për rrymë 20 euro, nëpërmjet truqeve të vjetra, me “kamata” e “zatezna kamata” na i bëjnë borxhet 600/700 euro dhe e sjellin “izvërshitellin”, na dëmtojnë përfundimisht ekonominë tonë që e kemi ngritur me shumë mund”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Thaçi premtoi se Ligji për amnisti fiskale apo Ligji për faljen e të gjitha borxheve, që shqiptarët i kanë shtetit, do të miratohet në seancat e para të Kuvendit republikan, sapo të mblidhet legjislatura e re. Kjo duhet të ndodhë pasi, sipas tij, nëse shqiptarët i kanë borxh shtetit rreth 4/5 milionë euro, shteti u ka borxh shqiptarëve një miliardë e shtatëqind milionë euro në vit. Kreu i PDSh-së sqaroi se shteti e mbush arkën në masën 30% me paratë e shqiptarëve në formë taksash dhe tatimesh, ndërkaq u kthen vetëm 2%.
 
“Ne nuk i kërkojmë këto mjete që të blejmë pushkë kundër maqedonasve dhe as raketa, ne i kërkojmë këto mjete që cilësia e jetës tonë të jetë e njëjtë si e maqedonasve”,- deklaroi Thaçi para banorëve të Cërnilishtës.
 
Sipas tij, paratë buxhetore do të shfrytëzohen për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e infrastrukturës për ujësjellës dhe ujëra të zeza, për ruajtjen e ambientit, për mbrojtje shëndetësore dhe arsim kualitativ për të gjithë shqiptarët. 
 
Thaçi premtoi se po i fitoi zgjedhjet, ai do të zë vendin e zëvendëskryeministrit dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët në vendbanimet me shumicë joshqiptare.
  
“Unë edhe emocionalisht si shqiptar jam i lidhur me këto zona, unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them publikisht, edhe Tetovës, edhe Gostivarit, edhe Strugës, edhe të gjithëve, ato të mira që i kemi, që do t’i kemi prej pushtetit të PDSh-së, Tetovë, Gostivar, e qytete të mëdha, duhet t’i ndajmë shumë më shumë për këta shqiptarë që jetojnë në këto zona, që janë nën trysni të pandërprerë të qeverisë dhe të maqedonasve, dhe unë kam ardhur sot t’ju premtoj se ne kemi plan të saktë, dhe unë si udhëheqësi i juaj kam shumë guxim, njohuri dhe dituri, dhe e synoj postin e njeriut të dytë në Maqedoni, të zëvendëskryeministrit. Unë nuk do të rreshti pa u kujdesur për ju, për t’jua përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të bërë që të gjithë ju të ndjeheni njësoj si ne shqiptarët e tjerë që jetojmë në zona të mëdha dhe në qytete të mëdha me shqiptarë. Bashkërisht, Zoti na ndihmoftë, ju lus të angazhoheni pa ndërprerë, se, të jeni të sigurt, data 11, në mbrëmje, duhet të jetë fillimi i lumturisë për të gjithë shqiptarët dhe fillimi i fatkeqësisë vetëm për një, për Ali Ahmetin që mashtroi 15 vite, pa turp”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Nuk do të mbeten pa kujdes as bujqit dhe blegtorët. Kreu i PDSh-së premtoi se do të ketë edhe sistem të subvencioneve për bujqësinë, por edhe kredi dhe bursa për fëmijët shqiptarë që duan të shkollohen. Për ta realizuar projektin e vetë, PDSh kërkoi votën e qytetarëve shqiptarë.
 
“Ne duhet të votojmë kundër kësaj qeverie, që të jemi bashkë me një rrugë me aleatët tanë të mëdhenj, ShBA-të, Evropën, Shqipërinë dhe Kosovën”, – deklaroi Thaçi.
 
Sipas tij, edhe ndërkombëtarët kanë dhënë mesazhin se kjo është qeveria më e kriminalizuar dhe më e korruptuar që ka pasur ky shtet, prandaj duhet të ikë.
 
“Kemi shenja alarmante për tensione që po mundohet t’i bëjë BDI në terren. Ne nuk duhet të biem pre e këtyre provokimeve”, - tha Thaçi.
 
Ai ftoi votuesit që të mos tregojnë urrejtje dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj asnjë subjekti politik, por të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për të dënuar subjektet politike.
 
“Gjuani me vota, më 11 dhjetor, kjo është ajo që duhet ta bëni”,- ishte porosia e kreut të PDSh-së, Menduh Thaçit.        
           
SHPËTIM NUREDINI