Maqedoni

Fetai: TVM-2 ka kryer obligimet me profesionalizëm

29.04.2014 18:40

Mediat u janë përmbajtur obligimeve ligjore gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore...

Mediat u janë përmbajtur obligimeve ligjore gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore. Kështu ka vlerësuar Agjencioni për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele Mediale, bën të ditur nënkryetari i këtij Agjencioni, Milaim Fetai.
 
“Ky proces zgjedhor, duke u bazuar në atë që e kemi konstatuar, ka pasur nivel të lartë të respektimit të rregullave ligjore dhe ka qenë në një frymë demokratike. Për këtë shkak konstatuam vetëm dy shkelje të dy televizioneve, një televizion që emiton program në nivel shtetëror dhe një televizion që emiton program në nivel regjional. Për këto konstatime do të ngrihet një procedurë për kundërvajtje, e cila është procedurë normale në këto rrethana kur konstatohet shkelja e nenit 76, Alinea 3 e Kodit Zjedhor”, deklaroi nënkryetari i Agjencioni për Media, Milaim Fetai.
 
Po ashtu Fetai bën të ditur se te TVM-2, programi në gjuhën shqipe, nuk është konstatuar asnjë lëshim në informim, si gjatë fushatës ashtu edhe gjatë heshtjes zgjedhore.
 
“Sa i përket servisit publik, programit të dytë në gjuhën shqipe, mund të them lirisht se deri tani, sidomos edhe në ditët e heshtjes zgjedhore, nuk është konstatuar ndonjë lëshim ose shkelje e ligjit, por kanë qenë në nivel të profesionalizmit”, tha Fetai.
 
Duke konstatuar se programi në gjuhën shqipe i servisit publik ka kryer detyrën me profesionalizëm të lartë, Fetai paralajmëron se një raport i detajuar për mënyrën e informimit të mediave gjatë  fushatës, nga ana e Agjencionit do të publikohet në ditët në vijim.
 
GYLTENE SINANI