Maqedoni
SHBA-BE: Administrim efektiv i zgjedhjeve
29.04.2014 18:46
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të përbashkët...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, përgëzojnë qytetarët e vendit që në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të 27 prillit, ushtruan të drejtën e tyre për të votuar.
“Ne ndajmë vlerësimin e OSBE/ODHIR-it në lidhje me administrimin efektiv të këtyre zgjedhjeve. Vërejtjet që ata kanë shprehur e që janë të ngjashme me ato të viteve 2011 dhe 2013, në lidhje me mbulimin e njëanshëm në media dhe mosdiferencimin e aktiviteteve shtetërore nga ato partiake, që pamundësuan kushte të barabarta për garim, duhet të shqyrtohen”, thuhet në deklaratën e përbashkët të SHBA-BE-së.
Në deklaratën e tyre gjithashtu thuhet se në këto përpjekje duhet patjetër të përfshihen partitë që do të formojnë Qeverinë e re, duke u angazhuar me opozitën në frymë konstruktive.
“Ata duhet të përqendrohen jo vetëm në administrimin teknik të këtyre zgjedhjeve, por edhe në zgjidhjen e të gjitha mangësive dhe pabarazive në sistemin më të gjerë zgjedhor, ngase të njëjtat mund të minojnë besimin në procesin demokratik”, thuhet në deklaratën e përbashkët të SHBA-BE-së.
SHBA-të dhe BE-ja, i ftojnë të gjithë liderët e partive politike, të angazhohen në mënyrë konstruktive, në reformat që do të avancojnë procesin e integrimeve euro-atlantike.
BE-ja dhe SHBA-të edhe më tej mbeten partner të vendit në këto përpjekje”,thuhet më tej në deklaratë.
BESIM ABDULLAI
