Maqedoni

Sela: Thaçi të japë dorëheqje

29.04.2014 18:49

Kreu i Komunës së Strugës, Zijadin Sela dhe dega e PDSH-së në Strugë, kërkojnë nga Menduh Thaçi...

Kreu i Komunës së Strugës, Zijadin Sela dhe dega e PDSH-së në Strugë, kërkojnë nga Menduh Thaçi të japë dorëheqje nga funksioni kryetar i partisë, për arsye të rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni. 
 
Sela për media ka thëne se Kongresi duhet të jetë vendi ku Menduh Thaçi duhet të japë llogari për rezultatet zgjedhore të PDSH-së dhe të japë dorëheqje.
 
“Kërkojmë që të thirret Kongresi dhe Kuvendi Qendror, si dhe organet më të larta partiake, për të debatuar për rezultatet zgjedhore të PDSH-së në këtë cikël zgjedhor”, deklaroi kreu i Komunës së Strugës, Zijadin Sela.
 
Sela tha se strukturat partiake të PDSH-së kishin vendosur që të dilet në zgjedhje vetëm për të votuar kandidatin e saj shqiptarë për president dhe pyeti se me ç‘farë të drejte Thaçi  mori guximin që të marrë fletën e votimit për president në rrethin e dytë.
 
“Kryetari i PDSH-së duhet të shpjegojë  se me  bekimin e cilit organ partiak ai mori vendim për të votuar presidentin në rrethin e dytë të zgjedhjeve”, theksoi më tej Sela.
 
“Thaçi duhet të japë shpjegim para Kongresit se si ndodhi që PDSH-ja humbi në zgjedhjet për president nga VMRO-DPMNE në Tetovë. Kongresi është  struktura partiake para të cilit Thaçi duhet të japë dorëheqje”, potencoi Sela.
 
Ai ka komentuar çështjen e hyrjes së PDSH-së në Qeveri, duke theksuar se edhe vendimi për hyrje  apo jo në Qeveri, duhet të merret nga strukturat më të larta partiake.
 
Sipas Seles, nëse Thaçi dëshiron të hyjë në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, por vetëm me kusht që brenda 100 ditëshit të parë, të realizojë premtimet e dhëna para elektoratit, për krijimin e parlamentit dy dhomash, ndarjen proporcionale të buxhetit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe përdorimin e gjuhës shqipe në nivel gjithëpërfshirës të vendit.  
 
MERITA GASHI