Maqedoni
Skadon afati për ankesa rreth zgjedhjeve
29.04.2014 18:54
Sipas nenit 81 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, presidenti i sapozgjedhur i shtetit, Gjorge Ivanov...

Sipas nenit 81 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, presidenti i sapozgjedhur i shtetit, Gjorge Ivanov, duhet ta fillojë mandatin brenda 12 majit të vitit 2014, me dhënien e deklaratës solemne para Kuvendit, me të cilën obligohet në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
Ndërkaq përbërja e re kuvendore, megjithatë në pajtim me Kushtetutën, duhet të konstituohet brenda 20 ditëve pas zgjedhjeve të mbajtura, gjegjësisht deri më 17 maj të vitit 2014.
Seancën konstituive e udhëheq kryetari i Kuvendit nga përbërja parapake. Nëse nuk caktohet seancë konstituive në afatin e paraparë, deputetët vetë takohen dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të nga dita e përfundimit të zgjedhjeve, gjegjësisht më 18 maj të vitit 2014.
Mandati i deputetëve të sapozgjedhur fillon të rrjedhë nga seanca konstituive e Kuvendit. Pasi të konfirmohet kuorumi, zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit verifikues të Kuvendit të RM-së dhe mandatin e deputetëve. Kuvendi e verifikon seancën konstitutive sipas propozimit të Komisionit verifikues.
Kryetari i shtetit është i obliguar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, t'ia besojë mandatin për formimin e Qeverisë, gjegjësisht më së voni deri më 27 maj të vitit 2014.
Mandatari nga partia, gjegjësisht partitë që kanë shumicë në Parlament, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit do t'i parashtrojë program dhe e prezanton përbërjen e Qeverisë.
Qeveria, në propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, duhet të zgjidhet në Kuvend me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve më së voni deri më 16 qershor të vitit 2014.
FLORIJE KAMBERI
