Zgjedhjet 2016, PPD: Kemi vizion se si t’i dalim zot hises tonë

24.11.2016 13:31

Partia për Prosperitet Demokratik ka vizion të qartë se si të ndërtohet....

Partia për Prosperitet Demokratik ka vizion të qartë se si të ndërtohet shoqëria shqiptare në Republikën e Maqedonisë.

Kështu ka deklaruar në takimin me banorët e  fshatrave Sallarevë  dhe Kalishtë kryetari i PPD-së dhe bartësi i listës në njësinë e 6, Abduladi Vejseli. Duke prezantuar edhe kandidatët për deputetë të PPD-së në njësinë e 6 zgjedhore, Vejseli potencoi se situatat që janë krijuar kohët e fundit në R. e Maqedonisë në të gjitha sferat janë të mjerueshme.

“Ne e shohim situatën e cila është krijuar, qoftë politike, ekonomike arsimore, apo ajo shëndetësore, dhe gjendja e shqiptarëve është e mjerueshme. Unë kam ardhur këtu për të lavdëruar PPD-në, por assesi nuk do të dëgjoni nga unë t’i shajë partitë tjera, nuk do merrem dhe nuk merrem me partitë tjera, pasi çdo parti ka konceptin e saj se si do të ndërtojë vizionin e shqiptarëve. Dhe ne si PPD kemi vizionin tonë dhe si do të ndërtojmë shoqërinë shqiptare, dhe si duhet bërë reformat në çdo drejtim për të arritur tek ajo që është e jona, që ne t’i dalim zot hises tonë, të marrim hisen tonë, pasi askush nuk e ka ndërmend të na japë neve atë, por ne me punë dhe angazhim e guxim do arrijmë që të marrim dhe të jemi zot i hises tonë”,- deklaroi kryetari i PPD-së, Abdulhadi Vejseli.

Vejseli tha se Maqedoni nuk mund të jetë shtet i barabartë për të gjithë nëse nuk arrin të anëtarësohet në NATO dhe BE. Sipas tij, të gjitha mjetet nga fondet e BE-së aktualisht ridestinohen për projekte në Maqedoninë lindore dhe kjo situatë duhet të ndryshojë duke u investuar në mënyrë proporcionale për të gjithë qytetarët e vendit. “Shqiptarëve do t’u kthejmë krenarinë dhe identitetin”,- tha Vejseli duke potencuar kështu edhe moton e PPD-së për këto zgjedhje. (Visari Sadiki, TVM2)