Alarm i rremë në Aeroportin e Shkupit, Ivanov anulon udhëtimin drejt Stambollit
Një telefon i harruar në Aeroplanin e "Turkish Erllajns" në Shkup....

Një telefon i harruar në Aeroplanin e "Turkish Erllajns" në Shkup ka alarmuar forcat e sigurisë, pasi që me këtë aeroplan drejt Stambollit ishte planifikuar të udhëtonte edhe presidenti i vendit, Gjorge Ivanov.
Pas këtij alarmi, nga kabineti i shefit të shtetit informojnë se për shkak të procedurave të sigurisë presidenti Ivanov dhe anëtarët e delegacionit nuk udhëtuan për në Stamboll prej nga duhej të niseshin për në Madagaskar në Samitin e Frankofonisë.
Ndërkohë, TAV - Maqedoni njoftoi se Aeroporti "Aleksandri i Madh" është i hapur dhe qarkullimi ajror funksionon normalisht pas anulimit të mbrëmshëm të fluturimit të "Turikish Erllajns" për në Stamboll.
"Gjatë kontrollit të rregullt të sigurisë në aeroplanin për fluturimin e mbrëmshëm drejt Stambollit u gjet një telefon i harruar celular. Për shkak të rregullave të sigurisë të kompanisë ajrore dhe vendimit të kapitenit, fluturakja është kthyer në pozitën e parkimit që të bëhet kontroll shtesë. Kjo është procedurë standarde ndërkombëtare që zbatohet në emër të sigurisë së fluturakeve dhe udhëtarëve. Për shkak të saj, fluturimi u anulua. Pasi të gjitha kushtet u përmbushën, kapiteni vendosi të vazhdojë me fluturimin dhe aeroplani të mërkurën në orën 22:56 fluturoi drejt Stambollit",- thekson TAV - Maqedoni.
Njëherit nga kjo kompani njoftojnë se shtyrjet e vogla të fluturimeve të caktuara që gjenden në ueb faqen e aeroportit janë prej dje në mëngjes, si rezultat i mjegullës së dendur dhe aspak nuk kanë të bëjnë me fluturimin e shtyrë drejt Stambollit.
