Zgjedhjet 2016, Partia Liberale takim me qytetarët në Veles
Partia Liberale ka zhvilluar mbrëmë takime...

Partia Liberale ka zhvilluar mbrëmë takime me banorët e Velesit.
Kryetari i kësaj partie, Ivon Veliçkovski, porositi qytetarët se në këto zgjedhje çdo votë është e rëndësishme, por më e rëndësishme, sipas tij, është vota kundër katër partive të mëdha që e futën në krizë Maqedoninë.
Sipas tij, në këto zgjedhje nuk duhet të flitet për Marrëveshjen e Ohrit apo Kushtetutën, por për konsolidimin e institucioneve dhe të shtetit. Ai tha se liberalët nuk i marrin njerëzit me autobusë nga një qytet në tjetrin për të mbushur sheshet, sepse mendojnë se kjo është harxhim i kotë i parave të qytetarëve.
Ai kërkoi votat e qytetarëve për platformën e Partisë Liberale.
“Qëllimi ynë është që pas këtyre zgjedhjeve të mos formohet qeveria me partitë aktuale. Ne do të qëndrojmë në anën e vlerave liberale, në anën e bizneseve, do të zvogëlojmë buxhetin nacional, i cili në 3-4 vitet e ardhshme nuk guxon të përfundojë me shifra 3-4 miliardë, por në 2.9 miliardë. Qëllimi ynë është që këto 500 milionë të përfundojnë tek qytetarët dhe bizneset. Partia Liberale synon që bizneset të ngrohen në piedestal, sepse biznesi i tyre i sjell para shtetit. Asnjë qeveri nuk guxon të bëjë presion ndaj bizneseve”,- deklaroi kryetari i PL-së, Ivon Veliçkovski.
PL angazhohet për taksën e sheshtë dhe për llogaridhënie se si harxhohen paratë e qytetarëve. Në njësinë e tretë zgjedhore, bartës liste është Danço Markovski, i cili para banorëve të Velesit u angazhua se Partia Liberale do t’i kthejë fëmijët e tyre nga mërgimi. (Gyltene Sinani, TVM2)
