Maqedoni

Vajgel: Pas zgjedhjeve, Maqedonia do jetë ndryshe

24.11.2016 14:47

Përfaqësues të Parlamentit Europian të premten vijnë në Shkup për t’u takuar me përfaqësuesit e partive politike, shoqatave qytetare dhe me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva...

Kështu ka deklaruar ekskluzivisht për TVM raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Ivo Vajgel. Ai pret nga liderët respektimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës. 
 
“Marrëveshja e Përzhinës është baza nga e cila duhet të ndërtohet e ardhmja në muajt e ardhshëm. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe votuesit të cilët duhet të mendojnë se kujt do t’i japin mandat në qeverinë e ardhshme. Unë mendoj se Maqedonia pas këtyre zgjedhjeve do jetë ndryshe nga kjo që është sot”,- deklaroi raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgel.
 
Vajgel nuk ka asnjë dyshim se zgjedhjet do të jenë gjithëpërfshirëse dhe demokratike. 
 
“Nuk kemi arsye të mos besojmë se zgjedhjet do të mbahen sipas të gjitha rregullave. Se do të jenë transparente dhe demokratike. E dimë që brenda natës nuk mund të kapërcehen ndryshimet që ekzistojnë në shoqërinë e Maqedonisë dhe mes partive politike, por unë besoj se përgatitjet afatgjata krijuan kushte për zgjedhje demokratike”,- theksoi raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgel.
 
Sipas Vajgelit, nga mbarëvajtja e zgjedhjeve varet rruga e mëtejshme e Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike. 
 
GAZMEND KURTISHI