Zgjedhjet 2016, Gruevski: Në 11 dhjetor, vendim për Maqedoninë
Në këto zgjedhje do të merret një vendim i rëndësishëm, vendim për vetveten...

Në këto zgjedhje do të merret një vendim i rëndësishëm, vendim për vetveten dhe për familjen tuaj. Kështu deklaroi në Kavadar në tubimin e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të koalicionit lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski.
Sipas tij, qytetarët duhet të vendosin për atë që ka program më të mirë me masa konkrete, reale dhe që ofron zgjedhje për problemet e përditshme dhe për të cilin e dini se me siguri do ta realizojë.
“Këto zgjedhje mbahen edhe për të marrë një vendim tjetër. Vendim për Maqedoninë. Për Maqedoninë që nuk përkulet ndaj shantazheve dhe nuk gjunjëzohet ndaj skenareve që ia përgatisin të tjerët. Zaevi dhe Radmilla kaq herë humbin po nuk po e mësojnë mësimin. Në 2008 ai pësoi dështimin më të madh në historinë politike të Maqedonisë. Por, vazhdon të flasë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Dhe ky është nënçmim për qytetarët dhe dëshmi se ata njerëz nuk po e kuptojnë mësimin që ua jep populli. Edhe Zaevi njëjtë. Ju lavdërohet politikanëve shqiptarë se po e bëjnë gati nga lart. Por, me popullin çfarë do të bëjnë, si mund ta përgatisin nga lart kur populli është këtu. Edhe popullin nga lart do e bëjnë gati? Populli nuk përgatitet me direktiva, mundet Zaevi ashtu të funksionojë, por populli jo. Atij nuk i intereson që populli nuk e do dhe ky është nënçmim për qytetarët dhe shtetin. Prandaj, edhe këtë herë do pësojnë humbje historike, sepse populli jep verdiktin kundër të gjithë atyre që e nënçmojnë”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Sipas tij, fitorja e VMRO-DPMNE-së në 11 dhjetor do të jetë mesazh jo vetëm për politikanët lokalë që dinë të vihen në shërbim të të tjerëve atje lart, siç potencojnë vetë ata, por edhe për ata lart, se në këtë shtet zot shtëpie është populli. “Momenti tani është i njëjtë si ai në referendumin e dështuar të 2005 për ndarje territoriale. Të dalim të gjithë e t’u tregojmë se nuk do t’i lejojmë të luajnë me shtetin. Jam i bindur se votuesit do të dalin masovikisht në zgjedhje si asnjëherë më parë në historinë e vendit”,- deklaroi Gruevski. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
