“Jugohromi”, punëtorët në protestë, Ahmeti: Kombinati të vendosë filtrat që të fillojë punën

24.11.2016 15:56

Punëtorët e “Jugohromit” bllokuan Shkupin për një orë për të kërkuar zgjidhjen e problemit të tyre....

Punëtorët e “Jugohromit” bllokuan Shkupin për një orë për të kërkuar zgjidhjen e problemit të tyre.

Sindikata, njësoj si drejtuesit e kombinatit, kërkoi zgjatjen e afatit për vendosjen e filtrave dhe të mbulohen pagesat e punëtorëve në periudhën që kombinati nuk punon.

“Punëtorët janë punëtorë, ata duan bukën e vet ta fitojnë me djersën e vet jo dikush tua falë, prandaj ne kërkojmë punë, se për një prolongim të afatit prej 12 muajsh deri në fund të vitit 2017 ne do të arrijmë t’i instalojmë filtrat dhe s’do të ketë kurrfarë problemi”,- tha kryetari i Sindikatës së punëtorëve në “Jugohrom”, Bajram Hamiti.

“30 vite kemi përvojë pune. Më parë nuk ka ndikuar “Jugohromi” që punon 70 vite, e tani ju pengon... Ne na duhet të hapet firma, të punojmë për një gojë bukë”,- u shpreh një punëtor i “Jugohromit”.

Nga Ministria e Ekologjisë thonë se i kuptojnë kërkesat e të punësuarve, por udhëheqësia e kombinatit duhet të kishte menduar edhe për ta kur vendosi të mos respektojë afatet ligjore për vendosjen e filtrave, pasi prioritet është shëndeti i qytetarëve.

“Udhëheqësia e kombinatit urgjentisht dhe sa më shpejtë të punojë në vendosjen e filtrave, që të mundet kombinati të punojë përsëri dhe punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës. Deri atëherë inkurajoj udhëheqësinë e kombinatit që të gjejë një zgjidhje për kërkesat e të punësuarve deri në vendosjen e filtrave”,- u shpreh ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.

“Jugohromi” justifikon mosrespektimin e afateve me problemet pronësore me komunën e Jegunovcës dhe pret që Inspektorati ekologji t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës për 18 muaj shtesë të afatit për vendosjen e filtrave.( Vlora Latifi-Topojani, TVM2)