Rasti “Sopoti”, PPS kërkon dorëzimin e lëndës
Prokuroria Speciale kërkoi nga Prokuroria Publike Themelore t’i dorëzojë lëndën “Sopoti”....

Prokuroria Speciale kërkoi nga Prokuroria Publike Themelore t’i dorëzojë lëndën “Sopoti”.
Specialja e kërkon këtë lëndë për t’u vërtetuar nëse e njëjta është nën kompetencën e saj për ta procesuar, pasi pjesë të bisedave të përgjuara për “Sopotin” u dëgjuan edhe në “bombat” e publikuara nga opozita.
“Më 4 nëntor kemi bërë kërkesë deri tek Prokuroria Publike për krim të organizuar dhe korrupsion për të marrë lëndën “Sopoti”. Lënda është kërkuar me qëllim për të vendosur nëse ky rast i përket prokurorisë tonë, duke pasur parasysh se në publik u paraqit një audio-incizim i bërë në mënyrë të paligjshme”,- thanë nga Prokuroria Speciale.
Në njërën nga “bombat” e publikuara nga opozita maqedonase dëgjohet se si ministrja e Brendshme, Jankullovska, dhe drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, bisedojnë rreth rastit “Sopoti” dhe dyshimet për mungesën e dëshmive dhe se rasti është i montuar.
Në rastin “Sopoti”, 11 banorë shqiptarë nga ky fshat u dënuan me mbi 150 vite burg për vendosjen e një mine nga shpërthimi i të cilës në vitin 2003 humbën jetën dy ushtarë të NATO-s dhe një civil.
Në vitin 2010, të akuzuarit në këtë rast u lanë të lirë, ndërsa rasti u rikthye në rigjykim.
Kërkesa që rastin “Sopoti” të kalojë në duart e Speciales është kërkesë e kamotshme e të akuzuarve në këtë rast. (Meral Ismaili, TVM2)
