Botë

Schulz lë Brukselin: Do të kërkoj një vend në Bundestag-un gjerman

24.11.2016 20:16

Martin Schulz ka deklaruar se nuk do të kandidojë për një mandat të tretë si President i Parlamentit Evropian, duke shtuar se ai do t’i rikthehet politikës gjermane...

Prej muajsh, ekzistonin spekulime se Schulz do të rikthehej në Gjermani për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme për Bundestag-un. Ai do të jetë kandidati kryesor i Partisë Social-Demokrate, në rajonin industrial dhe të populluar të Rinit Verior dhe Vestfalisë.
 
Presidenti i Parlamentit gjithsesi nuk komentoi mbi spekulimet se ai mund të përpiqet të sfidojë Angela Merkel si kancelar ose të kërkojë një post në kabinet. Partia Social-Demokrate është një partnere e vogël e qeverisë së  Merkel.
 
Schulz ka deklaruar se ky vendim nuk kishte qenë i lehtë për të, pasi më shumë se kurrë, botës i nevojitej një Bashkim Evropian i fuqishëm dhe plot besim në vlerat dhe bindjet evropiane.
 
Gjithsesi, ai premtoi përmbushjen e të gjitha funksioneve të tij si president deri në fund të këtij mandati.
 
Përtej një rivaliteti të mundshëm të tij ndaj Merkel, analistët thonë se Schulz mund të zëvendësojë edhe Frank Steinmeier si Ministër i Jashtëm, pasi ky i fundit ka shpallur kandidaturën për presidencën./Ora News