“Aleanca për Shqiptarët”: Barazi të plotë për shqiptarët

25.11.2016 13:56

“Aleanca për Shqiptarët”, e kryesuar nga UNITETI, LR-PDSh dhe RDK....

“Aleanca për Shqiptarët”, e kryesuar nga UNITETI, LR-PDSh dhe RDK, prezantoi ofertën e saj politike në Hasanbeg të Shkupit. Barazi e plotë mes dy bashkësive etnike më të mëdha në vend, shtet binacional, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel të shtetit, marrëveshje që njëri prej posteve më të rëndësishme, presidenti, kryetari i kuvendit apo kryeministri t’i takojë shqiptarëve, është platforma e tre partive të bashkuara në këto zgjedhje.      

“Duam t’i ndajmë armët me maqedonasit. Duam të jemi në ushtri 25%, duam të jemi në polici 25%, ajo është garanci se nuk do t’u ndodh e keqja shqiptarëve”,- theksoi kryetari i  UNITETI-t, Gëzim Ostreni.

“Shqiptarët do ta bëjnë gjuhën shqipe zyrtare menjëherë më 11 dhjetor, sapo “Aleanca për Shqiptarët” t’i marrë votat dhe t’I fitojë zgjedhjet. Pastaj do t’i shohin ata, ky Nikolla që thotë kurrë s’bëhet gjuha shqipe zyrtare dhe gjithë Nikollat e tjerë të cilët mendojnë që shqiptarët janë njësoj siç është Ali Ahmeti”,- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.

Bartësi i Listës në  njësinë zgjedhore numër dy, Nexhmedin Sadiku, tha se kjo platformë është garanci për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Ky subjekt politik do të angazhohet edhe për sundimin e së drejtës, hapjen e vendeve të reja të punës përmes forcimit të sektorit privat, luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për integrimet euroatlantike,- tha mes tjerash Sadiku.

“Era e  ndryshimeve ngadalë po sigurt po vjen dhe në bazë të këtyre ndryshimeve të jeni sigurt se qëndron “Aleanca për Shqiptarët”. Deri më 11 dhjetor pa dyshim se do ta fitojmë këtë lojë dhe do t’i zëmë mat”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë numër dy, Nexhmedin Sadiku.

Nga “Aleanca për shqiptarët” u zotuan gjithashtu për ndarje të buxhetit me prerje lokale, ku komunat vetë do të rregullojnë buxhetin e tyre si dhe për zbardhjet e tërësishme të proceseve të montuara gjyqësore nga ana e Prokurorisë Speciale Publike. (Rexhep Qamili, TVM2)