Zaev: Ndarjet të përfundojnë, shteti është i të gjithëve
Koalicioni opozitar, i udhëhequr nga LSDM, mbrëmë mbajti tubim në Tetovë

Koalicioni opozitar, i udhëhequr nga LSDM, mbrëmë mbajti tubim në Tetovë, ku sqaroi planin për jetën në Maqedoni. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se ndarjet në Maqedoni do të përfundojnë më 11 dhjetor në ditën e zgjedhjeve.
Sipas tij, aktualisht Maqedonia po vuan për unitet, për bashkim, për barazi, për të ardhme, për një jetë më të mirë. Ai tha se si kryeministër i ardhshëm do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të vendit.
“Unë do të jem kryeministri i ardhshëm dhe ju garantoj se ju sjell jetë për të gjithë qytetarët në Maqedoninë tonë. Ky është plan për shtet të sigurt dhe të drejtë. Kemi kushtetutë të shkëlqyeshme, liberale, evropiane dhe kjo kushtetutë i garanton të gjitha të drejtat e qytetarëve të Maqedonisë nga cilado bashkësi, por i garanton edhe obligimet e secilit qytetar. Ky plan garanton shoqëri për të gjithë. Në planin tonë është që të fokusohemi tek ekzistenca, ekonomia, në atë që siguron kushte për jetesë. Në planin tonë shkruan se: qëllimi kryesor është që të ndërtojmë një shoqëri të bashkuar, ku do të sigurohet stabiliteti i brendshëm si dhe marrëdhëniet e mira midis komuniteteve. Qëndroj mbrapa çdo fjale që është e shënuar në planin. Për jetë në Maqedoni do të sigurojmë barazi për gjithë qytetarët e vendit. Njëri para zgjedhjeve është bërë si Aleksandri i Madh, ndërsa tjetri si Skënderbeu. Njëri kërkon 63 deputetë, ndërsa tjetri do që të jetë kryesor në parlament. Parashtrohet pyetja ku janë populli, ku gjendet populli këtu? Për popullin ka zgjedhje, ndërsa për ata jo. 10 vite jetë kanë vjedhur nga qytetarët”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
LSDM gjithashtu mbajti tubim në Gostivar, ku prezantoi platformën dhe kandidatët për deputetë.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, theksoi para anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë se më 11 dhjetor është dita kur realizohet amaneti i paraardhësve. Kemi amanete të përbashkëta, sepse paraardhësit tanë kanë jetuar bashkë. “Bota po lufton për ekonominë, për popullin e lumtur. A ka ardhmëri me ndarje dhe shpërndarje? Duhet që bashkërisht, të bashkuar krah më krah, edhe maqedonas edhe shqiptarë, edhe vlleh, edhe turq, edhe romë të përcaktohemi për demokraci, drejtësi, barazi dhe liri. Në shekullin XXI përsëri po flasim për liri, pasi që kemi politikanë të korruptuar. Ndërsa të tillët vetëm me nacionalizëm mund që të mbijetojnë. E gjithë bota në Evropën moderne jeton me dallime dhe zhvillohet me dallime, por për shkak interesave personale, kjo qeveri e ndan popullin, nuk di t’ju përgjigjet kërkesave të qytetarëve për shkak se ata duan ndarje”,- potencoi Zaev në Gostivar.
Kandidatët për deputetë të LSDM-së në njësinë e 6 zgjedhore mbrëmë në Gostivar biseduan prej së afërmi me banorët e këtij qyteti rreth brengave dhe problemeve me të cilat përballen ata. Sipas bartësit të listës, Petre Shilegov, është koha që më 11 dhjetor t’i jepet fund qeverisjes kriminale. Gjithashtu edhe Gjylumsere Kasapi kërkoi besueshmërinë e banorëve të kësaj rrethine, me qëllim për të parandaluar largimin e të rinjve nga vendi, përmirësimin e gjendjes në arsim, shëndetësi dhe në fushat e tjera. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
