Maqedoni

BDI: Asgjë më pak se pesë shtyllat e platformës tonë

25.11.2016 17:10

BDI ka vazhduar prezantimin e platformës zgjedhore...

Duke u ndalur në zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në pres konferencën e sotme potencoi se është bërë shumë përparim në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet, nuk është më dilemë a është shqipja zyrtare, por sa është shqipja e barabartë.
 
“Mendojmë se tani janë krijuar kushtet që të mundësojmë krijimin e një Maqedonie dygjuhësore. Këtu parashihet një ligj i përgjithshëm i cili do të definojë përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe me atë maqedonase, krijimin e kapaciteteve për përdorimin e shqipes në nivel qendror dhe lokal, dhe krijimin e institucionit mbikëqyrës të përdorimit zyrtar të shqipes standarde”,- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Sa i përket mbylljes së “Jugohromit”, BDI mbështet ministrin Ahmeti në qëndrimin e tij për të respektuar ligjin dhe për të mbyllur çdo operator që ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve, tha Osmani. 
 
“Dilema nuk është  se a do rihapet “Jugohromi” pa filtra apo me filtra, por a do t’i vendos, a do t’i merret përgjithmonë licenca.  Kemi konsideratë edhe për të punësuarit atje, ftojmë kompanitë dhe institucionet të ndërmarrin paketa sociale për t’i mbrojtur këta qytetarë derisa kompania të vendosë filtrat e të fillojë me punë”,- tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Në një tjetër pres konferencë, BDI prezantoi sot edhe projektin për ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë, me gjatësi prej 12.5  km dhe me dy korsi në të dy krahët e saj dhe korsi ndihmëse, dhe që këtë BDI e quan prioritet të aktiviteteve në qeverisjen e ardhshme.
 
“Do të ndërtohen katër tunele deri në 842 metra, 9 mbikalime dhe tre nënkalime. Vlera e përgjithshme e këtij investimi është 100 milion euro”,- tha zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Faton Pollozhani. 
 
“Politikat e BDI-së dhe të z. Ali Ahmetit janë në drejtim të bashkimit të shqiptarëve dhe rrënimit të kufijve dhe afrimit të Shkupit me Tiranën e Prishtinën”,- theksoi bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore nga BDI, Artan Grubi.
 
“Nëpërmjet kësaj autostrade do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve, një lidhje e natyrshme e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe do jetë një rrugë e rëndësishëm edhe për Shqipërinë”,- theksoi bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore nga BDI, Ejup Halimi.
 
Ndërkohë, BDI mbrëmë ka pasur takim me qytetarët e Haraçinës dhe Hasanbegut. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, kërkoi votën e banorëve pasi, sipas tij, këto zgjedhje po bëhen në një kohë vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve të Maqedonisë.
 
Ahmeti tha se vetëm BDI ka kapacitetet që të mbrojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe ta dërgojë vendin drejt integrimit në NATO dhe BE, dhe kjo, sipas Ahmetit, është një ndër qëllimet kryesore të subjektit që ai drejton. 
 
“BDI nuk hyn ne garë për një fitore dosido, sepse koha është edhe vendimtare, koha është shumë e rëndësishme, momentet janë shumë të rëndësishme... Kemi të bëjmë me ndryshime të mëdha të politikave globale. Gjërat po ndryshojnë, organizimi edhe më i fort duhet të bëhet, duhet të jemi më afër njëri-tjetrit, sa më bashkë aq më të fort jemi. Ka rryma e ideologji edhe të imponuara edhe të huaja, të papranueshme për historinë dhe për BDI-në, prandaj o sot o kurrë kërkohet unitet me mendimin dhe veprimin tek shqiptarët, dhe në këtë unitet mendimi dhe veprimi tek shqiptarët ka investuar dhe investon BDI. As nuk kemi sharë dhe ofenduar asnjë subjekt politik dhe as që do të shajmë, por ama të vërtetën shqiptarëve do tua tregojmë. Të gjithë ata që duan të maten me BDI-në, mejdanin e kanë më 11 dhjetor, nuk i falim, por më jo me forcë, por me program, me platformë dhe ata të gjithë që dalin dhe duan të garojnë, le të dalim me projekt, me platformë të shkruar”.- tha  kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Platforma e BDI-së përmban pesë përbetime që nuk janë vetëm pikënisje për negociatat e qeverisë së ardhshme, por janë kushtet pa të cilat nuk do të mundet.
 
Shtylla e parë dhe kryesore e kësaj fushate është mirëqenia ekonomike, Maqedonia dygjuhësore, vendimmarrja konsensuale, shteti i së drejtës dhe NATO tani, thonë nga BDI, duke  potencuar se në qeverisjen e ardhshme nuk do të pranojnë asgjë më pak se këto pesë shtylla, thonë nga BDI.
 
ERSAN PAJAZITI