Maqedoni
Eurodeputetët: Presim zgjedhje fer, të vazhdojnë reformat
25.11.2016 17:48
Treshja evropiane, Vajgëll, Kukan dhe Flekenshtajn, shpresojnë se zgjedhjet do të jenë fillim i një kohe të re, ndërkaq pas zgjedhjeve Maqedonia do të vazhdojë me reformat...

Është ky konstatimi pas takimeve me liderët e partive politike në vend.
“Partitë janë përgatitur për një garë fer dhe transparente, ndërkaq zgjedhjet do të realizohen në një atmosferë të besimit dhe transparencës. Ky është konstatimi ynë nga të gjitha takimet. Jemi të kënaqur që ka frymë të bashkëpunimit midis tyre, veçanërisht tek partitë kryesore dhe liderët e tyre që t’u iket incidenteve dhe konflikteve. Besojmë se zgjedhjet do të jenë fer dhe demokratike, dhe do të paraqesin kohë të re për Maqedoninë. Pas zgjedhjeve duhet të vazhdojnë reformat”,- tha eurodeputeti, Ivo Vajgëll.
“Shpresojmë se do të shkojë mirë, sikurse deri më tani, do të ketë zgjedhje kredibile, qeveria e re do të fillojë me zbatimin e reformave prioritare, pasi që kjo është mënyra më e mirë të dëshmoni se me të vërtetë jeni të përkushtuar në integrimin europian”,- theksoi eurodeputeti, Eduard Kukan.
“Shpresoj se qytetarët masivisht do të dalin për të votuar në zgjedhje, të cilat do të ndiqet nga një numër i madh i vëzhguesve të huaj dhe të vendit. Ndërkaq, ne kthehemi një javë pas zgjedhjeve”,- u shpreh eurodeputeti, Knut Flekenshtejn.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në takim ka shprehur gatishmërinë e BDI-së për të kontribuar për zgjedhjeve të pranueshme nga të gjitha palët.
“Interesim të jashtëzakonshëm treguan se cila do të jetë strategjia jonë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, si do të vazhdojnë proceset në vend pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 2016-ës”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkaq, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, është siguruar se zgjedhjet e 11 dhjetorit do të jenë nën “rëntgen”.
“Mesazhin që mora ishte se zgjedhjet në Maqedoni do të jenë në sistem të rëntgenit. Vëzhgimi do të jetë shumë i fuqishëm dhe kjo është një porosi shumë e fortë për VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, që mos të tentojnë të përsërisin parregullsitë që i kanë bërë përpara”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Eurodeputetët kanë realizuar takime dhe me liderët maqedonas, Zoran Zaev e Nikolla Gruevski, si dhe me sektorin civil dhe prokuroren speciale, Katica Janeva. Ata përsëritën mbështetjen ndaj punës së Speciales.
MERAL ISMAILI
