NBA

NBA: Clippers merr kryesimin ndaj Golden State

30.04.2014 13:41

Kalifornianët zhvilluan një ndeshje model edhe pse gjithçka rezultoi e ekuilibruar deri në fund të periodës së katërt…..

Presidenti i skuadrës së Los Angeles Clippers është përjashtuar përgjithmonë nga NBA pas publikimit të një telefonate ku shprehet me tone raciste në dëm të të dashurës së tij. Por pavarësisht vendimit që tronditi jo vetëm skuadrën kaliforniane por edhe gjithë basketbollin amerikan, Clippers arriti të dalë nga kjo situatë duke fituar përballjen e pestë play-off kundër Golden State.

Kalifornianët zhvilluan një ndeshje model edhe pse gjithçka rezultoi e ekuilibruar deri në fund të periodës së katërt. Të shtyrë nga mbështetja e madhe në “Staples Center”, të zotët e shtëpisë e nisën takimin më mirë se miqtë duke regjistruar një avantazh +10 në përfundim të periodës së parë.

Por Warriors rezistuan duke penguar arratinë e Clippers. Në fundin e pjesës së parë rezultati u fiksua në shifrat 55-50, ndërsa miqtë e rritën edhe më shumë ritmin duke kaluar për herë të parë në avantazh me rezultatin 70-69. Skuadra nga Los Angeles u kundërpërgjigj menjëherë me DeAndre Jordan që e mbylli mbrëmjen me 25 pikë dhe 18 ribaunde. Nga ana tjetër, 21 pikët e Thompson nuk i hyjnë aspak në punë Golden State që u dorëzua me rezultatin përfundimtar 103-113.

Një hap të madh drejt fazës tjetër hodhi edhe Memphis që mundi 100-99 Oklahoman duke barazuar rezultatin 3-3, ndërsa Washington preu biletën e gjysmëfinales së lindjes pasi mundi 75-69 Chicagon duke fiksuar shifrat e përgjithshme në 4-1.