Maqedoni
BDI: Prioritet infrastruktura me Kosovën dhe Shqipërinë
26.11.2016 17:14
Bashkimi Demokratik për Integrim promovoi projektet e reja infrastrukturore në zonën e Kërçovës dhe Strugës...

Sistemi I autostradave që përfundimisht do të lidhe Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe Shqipërinë mbetet prioritet I BDI-së, pasi jo vetëm do të lidhe shqiptarët, por do të përmirësojë ekonominë e rajonit thonë nga BDI.
“Traseja vazhdon në seksionin Strugë - Trebenishtë me gjatësi prej 8,5 kilometrash, me shumë të përgjithshme prej 45 milionë euro dhe i cili duhet të fillojë me realizim vitin që vjen. Mandej traseja do të vazhdohet deri në kufi me Shqipërinë, që paraqet pjesë të planit për rrumbullakimin dhe ndërlidhjen infrastrukturore të rajonit”, shprehet zv/ministri i transportit dhe lidhjeve Faton Pollozhani.
“Kompanitë nga Struga dhe Kërçova do të kenë qasje më të mirë dhe më të lehtësuar në tregun më të gjerë në Maqedoni, por ç'është edhe më e rëndësishme, përfitime të mëdha nga ndërlidhja infrastrukturore me Shqipërinë”, shprehet bartësi i listës së zonës 5, Agim Shaqiri.
Për katër vitet e ardhshme do të fillojë me realizim edhe pjesa më e vështirë, për ndërlidhjen infrastrukturore të rajonit dhe kjo është traseja Gostivar - Kërçovë, ose depërtimi i tunelit në qafën e malit Strazhë që për momentin paraqet grykën më të ngushtë në tërë seksionin e korridorit 8.
Projekti në fjalë është në fazë të planifikimit final ndërsa pritet së shpejti të hyjë tërësisht në procedurë realizimi.
