Thellohet bashkëpunimi Francë-Maqedoni për “Natyra 2000”

28.11.2016 13:50

Në kuadër të bashkëpunimit të krijuar bilateral midis ministrive të ambientit jetësor në të dy vendet...

Në kuadër të bashkëpunimit të krijuar bilateral midis ministrive të ambientit jetësor në të dy vendet, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështje Evropiane, Ambasadën franceze dhe Institutin francez në Shkup organizuan seminarin me temën “Shkëmbimi i përvojave midis Francës dhe Maqedonisë për Natyra 2000 dhe implementimi i direktivave për habitatet dhe zogjtë”.

Ministri i Mjedisit Jetësor , Bashkim Ameti, në fjalimin e tij theksoi se një nga politikat dhe instrumentet e BE-së në pjesën e mbrojtjes së natyrës janë direktivat e BE-së për habitatet dhe zogjtë, të cilat nga ana tjetër janë mekanizmat ligjore themelore për krijimin e Rrjetit ekologjik evropian “Natyra 2000”.

“Për këtë arsye “Natyra 2000” e njohim si një segment kyç në funksionimin e ekosistemit, në ruajtjen e pasurive natyrore, specieve bimore dhe shtazore dhe habitatet e tyre natyrore, të cilat janë të një interesi dhe regjimi të posaçëm të mbrojtjes së BE”,- tha Ameti.

Për rëndësinë e këtij bashkëpunimi fjalim të hapjes kishte edhe ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristijan Timonie.

Në seminar morën pjesë edhe dy ekspertë francez, zëvendësdrejtoresha rajonale e  Mjedisit Jetësor, Planifikimit dhe Banimit  e Oksitanisë, Lorens Pujo, dhe zëvendësdrejtoresha për Ekologji në Oksitani, zj. Paulla Fernandes.