Maqedoni

Thaçi: PDSh kërkon mandat të fortë për shqiptarët

28.11.2016 14:36

Partia Demokratike Shqiptare ka prezantuar mbrëmë në Çegran platformën e saj politike dhe kandidatët për deputetë...

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, theksoi para të pranishmëve në tubim se PDSh ka hyrë në një garë për të fituar besimin maksimal të shqiptarëve në 11 dhjetor dhe sigurisht që kundërkandidati i drejtpërdrejtë në këtë garë është BDI, të cilën e ka akuzuar se nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që u ka thënë shqiptarëve.
 
Thaçi tha se si lideri i PDSh-së nuk mund të thotë se partia që ai drejton i ka realizuar të gjitha premtimet gjatë kohës që ka qenë në pushtet, por e vërteta është se janë realizuar shumica e premtimeve dhënë shqiptarëve dhe premtimet e mbetura pa u realizuar ndodhën për shkak se PDSh-së ju ndërpre dhunshëm mandati.
 
Ai ka kërkuar më 11 dhjetor një mandat të fuqishëm për PDSh-në në mënyrë që shqiptarët të binden se si realizohen premtimet e tyre. 
 
“Sot dua bashkërisht t’ju dërgoj një porosi gjithë shqiptarëve, se ne e meritojmë një mandat të na provojnë. Një mandat të fortë dhe të fuqishëm, me një shumicë absolute, mbështetje të shqiptarëve dhe në këtë mandat jemi të bindur se do të realizojmë këto përcaktime, këtë program dhe këtë platformë. Sigurisht që ky mandat do të jetë katër vite dhe shqiptarët do të kenë mundësi që ne po nuk i realizuam këto projekte, të ndërpresin këtë mandat pas katër viteve dhe dallimi është se këta të tjerët kanë 14-15 vite dhe po na gënjente dhe po na gënjejnë pa ndërprerë. Ju jeni dëshmitarë vetë çegranas se gënjejnë ata, apo gënjej unë? Vetëm t’iu pyes, të gjitha premtimet që jua kanë dhënë për Çegranin, asnjë se kanë përmbushur, as kanalizim, as ujësjellës, as rrugë, asnjë prej premtimeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Çegranit”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Platforma e PDSh-së është serioze dhe pa diskutim se ne jemi përgatitur që të realizojmë këtë platformë, tha Thaçi duke shtuar se në rrugën për të përmbushur përcaktimet programore për shqiptarët ka shumë pengesa që përcaktohen nga të tjerët.
 
Nuk është vetëm çështja e konkurrencës drejtpërdrejtë politike me BDI-në, as partitë e vogla shqiptare që dëmtojnë votën e opozitës.
 
Dua të ju them hapur sot se ata mendojnë se shqiptarët nuk e dinë se në tre njësitë zgjedhore, siç është 1, 2 dhe 5, nëse votohet për partitë e vogla, ato vota shkojnë direkt te Gruevski dhe Zaevi, ato vota janë vota të drejtpërdrejta për partitë maqedonase. 
 
Thaçi ka folur edhe për eksodin e shqiptarëve që është shtuar vitet e fundit dhe për amnistinë fiskale dhe amnistinë e përgjithshme që planifikohet në platformën e PDSh-së.
 
“Vota e shqiptarëve, të cilët janë të bindur se duhet ndryshuar gjendja, duhet të koncentrohet tek PDSh. Çështja e urgjencës për ne shqiptarët që jetojmë këtu në Maqedoni është që nëpërmjet ligjeve për amnisti, një për të burgosurit dhe e dyta Ligji për amnisti fiskale, që parasheh faljen e borxheve të shqiptarëve dhe drejtuesve të ndërmarrjeve që janë shqiptarë, ne duhet ta ndalim këtë zullum me shpejtësi shumë të madhe. Pse kjo duhet të ndalet? Për shkak se projekti për dëmtimin e ekonomisë shqiptare dhe projekti për dëmtimin e ekonomisë të  familjeve shqiptare po rezulton me një eksod të madh të familjeve shqiptare, ky eksod i zbrazë fshatrat, i zbrazë qytetet dhe zbrazë të gjithë territorin e shqiptarëve. Normalisht se ne do të vijmë në një gjendja të tillë që të tjerët mund të na thonë shumë shpejt se ju jeni pakicë”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Para të pranishmëve u paraqit edhe kandidati për deputet nga radhët e PDSh-së, Rushit Vehapi. Sipas tij, shqiptarët janë të nënçmuar dhe përbuzur, dhe fajtori ka vetëm një emër, e ai është BDI.
 
E kemi pasur të vështirë të bindim shumë nga bashkëkombësit tanë të BDI-së se nuk e kanë hallin e këtij populli, por hallin e tenderëve, hallin e kushtëzimit të shqiptarëve për një vend pune. Dënimin e shqiptarëve dhe kumbarinë me “branitellat”.
 
E kemi pasur të vështirë dhe shpeshherë kemi qenë të keqkuptuar, por tashmë shqiptarët janë vetëdijesuar dhe e dinë se PDSh thotë të vërtetën, tha Vehapi. 
 
“Qeveria e Shkupit paratë tona i harxhon në parqe ekzotike, në skulptura, në bulevarde moderne në Shkup dhe në Lindje, por jo edhe ku jetojnë shqiptarët, jo në Gostivar, jo në Çegran, jo në Forinë, jo në Dobresh... Kjo ka ndodhur sepse BDI gjatë gjithë këtyre viteve është mësuar të heshtë, e ne nuk heshtim, ne dimë dhe ne mundemi ta kthejmë dinjitetin e shqiptarit. Sot shumica e kanë kuptuar që rrugës dhe politikës së BDi-së duhet t’i themi STOP, se ky vend ka krah, ky vend ka burra dhe gra që dinë t’i dalin zot. Ky vend ka PDSh-në, ka kryetarin Menduh Thaçi, dhe një lum djem e vajzash shqiptare që nuk durojnë padrejtësi”,- tha kandidati për deputet nga PDSh, Rushit Vehapi.
 
Ju sigurojmë që me PDSh-në e nesërmja do të jetë më e mirë, më e begatë, andaj ju lus që më 11 dhjetor ta ndëshkojmë politikën servile të BDI-së, duke votuar në mënyrë masovike për PDSh-në, porositi Vehapi. 
 
“Normalisht, në angazhimin tonë të këtyre ditëve që kanë ngelur duhet shumë hapur t’ju thuhet popullit tonë se e keqja nuk ndalet, vetë asaj duhet t’i dilet ballë, vota që do të jepet më 11 është vota e ndryshimit të madh. Unë besoj në këtë votë, unë besoj në demokraci dhe unë besoj se shqiptarët e Maqedonisë kanë kapacitet që nëpërmjet votës për PDSh-në ta rikthejnë krenarinë, dinjitetin dhe të drejtat e humbura”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, në tubimin para banorëve të Çegranit.
 
GAZMEND KURTISHI