Maqedoni

Vejseli: rigjykim të proceseve të montuara politike

28.11.2016 16:08

Karvani i PPD-së dje shpalosi platformën parazgjedhore në fshatrat Orashë e Epërme, Pallaticë dhe Reçicë e Madhe...

Banorëve të këtyre fshatrave platformën parazgjedhore ua shpalosi bartësi i listës zgjedhore të njësisë 6 dhe njëherit edhe kryetar i kësaj partie, Abduladi Vejseli. Sipas tij, platforma e PPD-së, përveç komponentës sociale e ekonomike, e përmban edhe komponentën kombëtare.
 
Një pjesë të fjalimit të tij para banorëve të këtyre vendbanimeve Vejseli  ia kushtoi edhe gjendjes së rëndë ekonomike e sociale në të cilën gjendet popullata në Maqedoni, e në veçanti popullata shqiptare.
 
“PPD-ja do të rikthejë në gjykim të sërishëm të gjitha proceset e montuara politike, përfshi edhe amnistimin e të burgosurve politik të proceseve të montuara “Monstra”, “Sopoti” dhe “Brodeci”. Politikat e gabuara të kësaj qeverie kanë sjellë që qytetarët të mos interesohen për politikë dhe interesi për dalje në zgjedhje të jetë i vogël. Para zgjedhjeve nuk ka parti të mëdha dhe të vogla dhe qytetari është sovran i votës së vet. Ju më 11 dhjetor duhet të vendosni me votën tuaj se a dëshironi edhe më tej të mbeteni të varfër, të poshtëruar nga politika, të mashtruar, apo do të hapni faqe të re të historisë me dinjitet të rikthyer”,- deklaroi kryetari i PPD-së, Abdylhadi Vejseli.
 
Muhamed Halili, i dyti në listë në njësinë zgjedhore 6, tha se PPD ka skicuar në platformë ndarjen e re territoriale, përmes të cilës premtoi se do ta kthejë sërish komunën e Xhepçishtit, e cila nga BDI u fshi nga lista e komunave për t’i kënaqur apetitet e LSDM-së edhe pse kjo ishte komuna më e zhvilluar në republikë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI