Maqedoni

Lëvizja “Besa”, ligj nënçmues për flamurin edhe këtë 28 Nëntor

28.11.2016 15:22

Lëvizja “Besa” ka akuzuar sot BDI-në për Ligjin aktual për përdorimin e flamujve, i cili parasheh që flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm në disa komuna të caktuara...

Lëvizja “Besa” ka akuzuar sot BDI-në për Ligjin aktual për përdorimin e flamujve, i cili parasheh që flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm në disa komuna të caktuara, por me dimensione sa 1 e 3 e flamurit maqedonas.
 
Ky ligj vlen edhe në këtë 28 Nëntor, tha zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes “Besa”, Orhan Murtezani. Sipas tij, ligji aktual nënçmon luftën e Skënderbeut, kontributin e Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës dhe i pengon shqiptarëve të Maqedonisë të ndjejnë frymën e vërtetë të Festës së Pavarësisë. 
 
“Sipas nenit 9 të Ligjit për përdorimin e flamujve të vitit 1973, nga ish-Jugosllavia në mënyrë taksative thuhet se gjatë përdorimit të njëhershëm të më shumë flamujve, dimensionet e tyre duhet të jenë të barabarta. Dimensionet aktuale të flamurit shqiptar janë sa një e treta e flamurit kombëtar maqedonas. Gjithashtu sipas ligjit aktual, përveç dimensioneve, flamuri ynë kombëtar përdoret vetëm në nivel lokal dhe aty ku ka mbi 50% të popullatës shqiptare. Ne kërkojmë t’i jepet fund kësaj përbuzje dhe flamuri ynë kombëtar të jetë i barabartë me atë maqedonas, as më pak e as më shumë”,- deklaroi zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes “Besa”, Orhan Murtezani.
 
Nga “Besa” thonë se janë të vetëdijshëm që sot nuk është dita për të bërë fushatë politike, por, sipas tyre, flamuri kuq e zi është amanet që duhet ruajtur. 
 
GYLTENE SINANI