Maqedoni

Kurc pas takimit me Popovskin: me zgjedhje fer - reforma, drejt bisedimeve me BE-në

28.11.2016 16:44

Me zgjedhje fer dhe përmbushjen e reformave urgjente, Maqedonia mund të ecë drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësim në BE...

Me zgjedhje fer dhe përmbushjen e reformave urgjente, Maqedonia mund të ecë drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësim në BE, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastijan Kurc, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Popovskin.
 
Edhe përkundër moszgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, optimizmin e këtillë, diplomati austriak Kurc e mbështet në zhvillimet pozitive në Greqi dhe vlerësimet e KE-së.
 
“Unë jam optimist, pasi që raporti i Komisionit Evropian nuk është vetëm diçka që tregon dobësitë dhe reforma të patjetërsueshme, por edhe zhvillime pozitive. Kuptohet se kontesti me emrin nuk është i zgjidhur, por në Greqi ekziston dëshirë për një Maqedoni stabile dhe përafrim drejt BE-së. Për ne si BE është tejet me rëndësi të ketë zgjedhje fer dhe demokratike. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo do të jetë një hap i rëndësishëm që do të merret parasysh nga vendet anëtare të BE-së për hapa të mëtutjeshëm dhe gjithsesi se do të ketë edhe çelje të bisedimeve”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastijan Kurc.
 
Dy ministrat e Punëve të Jashtme, Kurc dhe Popovski, miratuan plan aksional që do të mbështesë Maqedoninë drejt eurointegrimeve.
 
“Ne jemi falënderues për mbështetjen që Austria na ofron në rrugën drejt BE-së. Kjo është e rëndësishme, pasi që bëhet fjalë për prioritetin tonë më të rëndësishëm. Austria është mbështetësja jonë më e fuqishme në këtë rrugë dhe mendojmë të punojmë intensivisht që në një periudhë të afërt të nisim bisedimet”,- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
 
Kurc çmoi lart aktivitetet e Maqedonisë për mbylljen e rutës ballkanike. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes së tij në mitingun e mbrëmshëm të VMRO-DPMNE-së, Kurc tha se këtu s’ka asgjë kontestuese, pasi që ishte i ftuar në cilësinë e anëtarit të partisë popullore evropiane.
 
Ai pohon se mbrëmë ka ftuar qytetarët të dalin në zgjedhje, por duke theksuar se do të jetë vetë populli, i cili vendos se kujt do t’ia besojë votën.
 
MERAL ISMAILI