Maqedoni

Gruevski: miliona euro investime për skenarin e opozitës

28.11.2016 17:00

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” prezantoi mbrëmë në Shkup platformën dhe kandidatët për deputetë...

Lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, premtoi vazhdimin e reformave pas fitores së madhe më 11 dhjetor. Do të vazhdojmë të punojmë për interesat shtetërore në këtë periudhë historike për vendin, tha Gruevski para masës së tubuar.
 
Sipas tij, zgjedhjet e 11 dhjetorit do t’i japin fund krizës së krijuar nga opozita maqedonase. 
 
“Janë investuar miliona euro në këtë skenar të opozitës. Ata që investuan nuk ia duan të mirën vendit tonë dhe ju e dini këtë. Ata që bashkëpunojnë me opozitën në këtë fushatë, janë të njëjtit njerëz përgjegjës për krizën në shtet, janë përgjegjës pse vendi ynë ka mbetur në vendnumëro në integrimet euroatlantike, janë të njëjtit që kanë plane të këqija për shtetin tonë dhe opozita është vegël në këto skenar. Në ditën e zgjedhjeve shtylla kryesore është qytetari, i cili përmes votës do të zgjidhë krizën në të cilën gjendemi dhe do të dalë në mbrojtje të shtetit. Dygjuhësia, kantonizimi, spiunimi i shtetit, kriminaliteti në nivel lokal dhe qendror, premtimet e gënjeshtërtat, nënçmimi i qytetarëve, këtë na ofron opozita. Ata flasin për liri në media, ndërkohë që i blejnë ose u bëjnë presion mediave. Flasin për korrupsion, por nuk munden të çlirohen nga tenderët dhe larjen e parave në nivel lokal. Është e njëjta garniturë që shkatërroi fabrikat të cilat ne përmes projektit të ristartimit të kompanive, - viktima të tranzicionit,- jemi gati t’i rindërtojmë”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Sipas Gruevskit, populli është forca e vetme që mund të dërgojë mesazhin e qartë dhe ta ndalë thellimin e krizës.
 
Tani është momenti, tha ai, që këtë krizë aktuale ta kthejmë në mundësi të re për vendin. Në 11 dhjetor do t’i japim fund këtij skenari.
 
Populli e kupton se çfarë po ndodh dhe e di se çfarë kërkon. Gruevski ka ripotencuar se 11 dhjetori është referendum për Maqedoninë.
 
“Nga ajo se çfarë qëndrimi do të merret tani, do të varet çfarë ardhmërie do të kenë dhe në çfarë shteti do të jetojnë fëmijët dhe nipërit tanë, gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Ne kriza na bëri më të fortë, më të guximshëm e më të vendosur. Çdo votë e juaja, çdo mendim i juaji është i rëndësishëm për ne. Në këto momente është mirë të bashkohemi për Maqedoninë për të ndalur procesin e shkatërrimit të shtetit, që filloi me krizën politike, tha Gruevski. Në këto zgjedhje, zgjidhet mes dy alternativave dhe koncepteve tërësisht të ndryshme. Një është alternativë e atyre që krijojnë krizë, e tjetra është alternativë e njerëzve që edhe përkundër pengesave, mundohen të krijojnë, punojnë e mendojnë për qytetarët. Ju duhet të votoni për alternativën prej të cilës nesër nuk do të turpëroheni kur të shikoni pas, për ata që mbrojnë interesat e shtetit", tha Gruevski në mitingun e mbrëmshëm në Shkup. 
 
MIGENA GORENCA