Botë

Merkel: vazhdoni reformat. Rama: BE-në e diktuan etërit e shtetit shqiptar

28.11.2016 17:38

Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave që ka nisur në mënyrë që të avancojë në procesin e integrimit europian...

Ka qenë ky mesazhi që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dhënë për Tiranën zyrtare në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin, Edi Rama, në Berlin.
 
Rama ka përkujtuar se rrugën evuropiane të Shqipërisë e kanë përcaktuar 104 vjet më parë krijuesit e shtetit shqiptar.
 
“Ne konstatojmë sot se Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore në vitet e fundit dhe që ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën e reformave dhe që po i ndërmarrë edhe më tej ato. Komisioni Europian i ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe në raportin e fundit për vendet aspirante i ka vlerësuar këto zhvillime. Tani është e rëndësishme që kjo rrugë të vazhdojë”,- deklaroi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
 
“Shqipëria dhe shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar në këtë proces. Ne nuk kemi hyrë në këtë rrugë, sepse na i ka imponuar Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse na i kanë diktuar etërit themelues të shtetit shqiptar 104 vjet më parë, si shprehje e një vullneti të hershëm për t’u shkëputur nga Lindja për t’u bashkuar me Perëndimin”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.