Maqedoni

28 Nëntori, BDI shënon festën me homazhe dhe akademi

28.11.2016 17:56

Bashkimi Demokratik për Integrim, për nder të festës së 28 Nëntorit, Festës së Flamurit Kombëtar, ka ndërprerë sot të gjitha aktivitet e fushatës zgjedhore...

Bashkimi Demokratik për Integrim, për nder të festës së 28 Nëntorit, Festës së Flamurit Kombëtar, ka ndërprerë sot të gjitha aktivitet e fushatës zgjedhore, duke u përqendruar në aktivitetet për nder të festës së shqiptarëve.
 
Në Ditën e Festës së Flamurit kombëtar dhe 104 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, BDI ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin që konsistuan me vizita në varret e dëshmorëve dhe martirëve të kombit në shenjë nderimi për të gjithë ata të cilët kanë kontribuuar për Pavarësinë e shtetit shqiptar.
 
Shënimet për këtë ditë kanë filluar sot në mëngjes në qendrën përkujtimore “Nëna shqiptare” në Kërçovë, për të vazhduar më pas me nderime të dëshmorëve dhe martirëve të vitit 2001, në varrezat e dëshmorëve në Sllupçan, Hotël, Haraçinë e Tetovë, me nderime pranë monumentit të Isa Boletinit në Saraj dhe në varrin e ministrit të parë të mbrojtjes në qeverinë e pavarur të Vlorës, Mehmet Pashë Deralla. 
 
Në këtë ditë janë ndarë edhe mirënjohje për veprimtarët e çështjes shqiptare. Në Qendrën përkujtimore “Nëna shqiptare”, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se nuk duhet harruar assesi përpjekjet dhe vuajtjet e popullit që të arrihen idealet tashmë të shkruara në shkronja të arta të historisë së popullit shqiptar. 
 
“Sot ne shqiptarët e Maqedonisë po fillojmë ta kujtojmë, që nga monumenti, shtatorja e nënës shqiptare këtu në komunën  e Kërçovës, me ç’rast kujtojmë të gjithë ato brezat, sakrificat, të gjithë ato përpjekje titanike që ka bërë kombi ynë për të pasur liri kombëtare, për të pasur shtetin e vet... Këto përpjekje ne duhet t’i kujtojmë si përpjekje me plot vuajtje e mjerim, duke e paguar me çmim më të lartë të bijve dhe bijave më të mirë të këtyre viseve, dhe tani kemi obligim që me nderin më të madh që këta njerëz dhe sakrifica t’i kujtojmë, që të mos e harrojmë të kaluarën dhe të mendojmë shumë mirë për të ndërtuar të ardhmen”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Në Shkup, ndërkohë, nën kujdesin e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, u mbajt edhe një akademi solemne kushtuar 28 Nëntorit.
 
Ai tha se në këtë ditë kujtohen të gjitha personalitetet që kanë dhënë një kontribut të madh për pavarësinë e shtetit shqiptar, duke filluar që nga Ismail Qemali e Isa Boletini e deri tek Adem Jashari dhe ushtarët e UÇK-së.
 
Gjatë fitimit të të drejtave dhe formimit të shtetit shqiptar, kombi ynë ka pësuar shumë vuajte dhe maltretime nga kombe të ndryshme që kanë dashur ta copëtojnë Shqipërinë pas pavarësisë së saj, tha Ahmeti.
 
Ai bëri thirrje deri tek institucionet që të miratohet një rezolutë ku shqiptarët do të dënojnë të gjithë gjenocidin e bërë ndaj tyre. 
 
“A duhet harruar e tërë kjo histori, a duhet hartuar e tërë kjo padrejtësi?! Unë po thërras të gjithë botën e qytetëruar, unë po thërras që bota e qytetëruar të reflektojë ashtu, siç do thërras edhe institucionet vendore që ne të miratojmë një rezolutë, të dënojmë të tërë atë gjenocid që është ushtruar ndaj shqiptarëve dhe rrugëtimi të nis që nga institucionet vendore e deri tek ato të Parlamentit të Europës, sepse edhe ne jemi evropianë, edhe ne i takojmë botës që kemi dashur, liri, kemi dashur gjakun e kombit tonë, andaj nuk e kemi merituar ne që i gjithë ai gjenocid të ushtrohet me një komb të tërë”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Kandidati për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore, Branko Manajlovski, tha se po të mos ishte gjuha dhe flamuri, shqiptarët do të ishin të asimiluar. 
 
“Kur isha i vogël, babi im dhe fshatarët mblidheshin dhe pinin raki në këtë ditë dhe kishin një leckë. Mua më dukej si leckë, por ajo kishte qenë flamuri. Është e vërtetë se ka shumë shqiptarë që janë asimiluar atje në Rekën e Epërme, por do të punojmë që t’i kthejmë në kombin e tyre”,- tha kandidati për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore, Branko Manojlovski.
 
Ahmeti gjithashtu apeloi që në këtë ditë të kujtohen të gjithë dëshmorët e rënë dhe të gjithë ata që jetën ia kanë kushtuar kauzës kombëtare, ndërsa nderi që mund t’iu bëhet është duke i materializuar të gjitha qëllimet që i kanë shqiptarët.
 
Ahmeti shtoi se kombi shqiptar tashmë ka ndërtuar historinë më të re me pavarësinë e  shtetit të Kosovës, si dhe me ndryshimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë. 
 
ERSAN PAJAZITI