Maqedoni
“Fortesa 2”, seanca shtyhet për më 17 janar
28.11.2016 18:30
Më shumë se dy orë zgjati seanca e parë gjyqësore parapërgatitore për rastin “Fortesa”...

Më shumë se dy orë zgjati seanca e parë gjyqësore parapërgatitore për rastin “Fortesa”, ku punonjës dhe ish drejtues të DSK-së akuzohen për shkatërrimin e dokumenteve dhe materialeve që kanë lidhje me pajisjen e përgjimeve të paligjshme.
Gjykatësja dhe pala mbrojtëse thonë se dëshmitë e PSP-së nuk janë të mjaftueshme, të njëjtat janë të klasifikuara dhe për përdorimin e tyre të mëtejshëm duhet siguruar leje e veçantë nga DSK.
Ata kërkojnë që seancat e ardhshme të jenë të mbyllura për opinionin.
“Humbëm pa nevojë më shumë se dy orë për gabimet procedurale që i ka bërë PSP. Ne kërkojmë që gjithçka që është siguruar në mënyrë të paligjshme të përjashtohet nga ky proces, por gjykata u mundësoi PSP-së që t’i përmirësojnë gabimet e tyre procedurale të ngritura për këtë rast”,- deklaroi avokati mbrojtës, Nikolla Dodevski.
Nga PSP vlerësojnë se kërkesat e tyre janë vetëm një mënyrë për t’u anuluar seancat e ardhshme gjyqësore për këtë rast.
“Për gjykatën nuk është e panjohur të veprojnë me dëshmi të klasifikuara, duke marrë parasysh se edhe Ligji për dëshmi mundëson një gjë të tillë në vend. Kërkesa e gjykatës për të siguruar leje të veçantë vlerësojmë se është vetëm për të anuluar seancat, por shpresojmë shumë se këto mosmarrëveshje do t’i tejkalojmë në të ardhmen”,- deklaroi Lençe Ristevska nga PPS.
Prokuroria Publike Speciale ngriti lëndën “Fortesa” më 15 shator të këtij viti dhe ngriti akuza ndaj shtatë persona, në mesin e të cilëve punonjës dhe ish drejtorë të DSK-së.
I pari i akuzuar, Goran Grujovski, sot nuk lejoi të fotografohet në seancë para kamerave.
Akuza është ngritur për veprimet juridike penale që lidhen me përgjimin e paautorizuar të komunikimit.
Ai së bashku me punëtorët e tij akuzohen se kanë formuar komision të veçantë dhe kanë asgjësuar mbi 2000 dosje të përgjimeve.
Seanca e ardhshme gjyqësore parapërgatitore është e caktuar për 17 janar të vitit të ardhshëm.
REXHEP QAMILI
