Maqedoni

Raufi: Opel Omega e “Monstrës”, veturë fantome

30.04.2014 18:08

Pronarët e veturës që i takojnë targat të cilat janë vendosur në veturën Opel Omega, e dyshuar të jetë e involvuar në rastin “Monstra”...

Pronarët e veturës që i takojnë targat të cilat janë vendosur në veturën Opel Omega, e dyshuar të jetë e involvuar në rastin “Monstra”, sot para trupit gjykues kanë dëshmuar se nuk njohin asnjërin nga të akuzuarit në këtë proces.
 
Ata gjatë dëshmisë së tyre thanë se vetura e tipit Mercedes, të cilës dhe i takojnë tabelat e regjistrimit, ka qenë e papërdorur dhe ka qëndruar në auto-depo.
 
Pronari faktik i veturës nuk e di kohën prej kur nga vetura janë zhdukur tabelat e regjistrimit. Ndërkaq ashtu si Interpol edhe të dhënat nga Drejtoria e Doganave të Maqedonisë, tregojnë që vetura Opel Omega asnjëherë nuk është e evidentuar në Drejtorinë e Doganave të Maqedonisë. 
 
Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufit, këto të dhëna lënë hapësirë të dyshohet se Opel Omega asnjëherë nuk ka qenë dhe akoma nuk ndodhet në Maqedoni.
 
“Edhe hulumtimi i Interpolit po ashtu shkon në favor të palës mbrojtëse dhe të të akuzuarve, se Interpoli lajmëron se kjo veturë bile edhe dogana e RM-së tregon qartë se kjo veturë asnjëherë nuk ka hyrë e dalë nga Maqedonia. Unë dyshoj se edhe tani asnjëherë s’ka qenë sipas meje, kjo për arsye se kemi insistuar shumë herë, por nuk është lejuar dhe u refuzua kërkesa jonë që të shihet kjo veturë fantome”, deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Avokati Raufi edhe më tej deklaron se të akuzuarit në këtë rast janë të pafajshëm, aq më tepër kur procesi po zvarritet për dy vite pa ndonjë dëshmi konkrete. 
 
FLORIJE KAMBERI