Zgjedhjet 2016, Lëvizja “Besa” mbajti tubim në Likovë

29.11.2016 13:26

Lëvizja “Besa” ka qëndruar mbrëmë në Likovë...

Lëvizja “Besa” ka qëndruar mbrëmë në Likovë për të prezantuar programin zgjedhor dhe kandidatët për deputetë në njësinë e dytë zgjedhore. Bartësi i listës për deputetë në njësinë e dytë zgjedhore nga “Rilindja me BESË”, Afrim Gashi, theksoi se “Likova është zemra e shqiptarisë në Maqedoni,  pasqyrim i guximit dhe trimërisë së shqiptarëve të Maqedonisë, emblema e flijimit që   kanë   bërë  shqiptarët   e   Maqedonisë   për   shqiptarinë”.

“Më 11 dhjetor nuk do të fitojë asnjë parti politike, por do të ngadhënjejë vullneti i popullit shqiptar. Do të jeni ju që do ta bëni edhe më madhështore fitoren e “Rilindjes me BESË”, ndërsa obligimi ynë do të jetë që të jemi zëri juaj legjitim. Sot shqiptarët janë më të vendosur se kurrë t’i thonë mjaft diskriminimit, tradhtive dhe  pabesive të njëpasnjëshme që ua bëri partia shqiptare në pushtet. Komuna e Likovës shqiptare mbetet ndër komunat më të diskriminuara nga ky pushtet. “Rilindja me BESË” zotohet se do të mbetet e përkushtuar në realizimin e objektivave të saj që për qëllim kanë përmirësimin e jetesës së shqiptarëve në Maqedoni, si popull me të drejta të barabarta juridike, në një shtet që  garanton zhvillim të barabartë të vendit”,- deklaroi bartësi i listës për deputetë në njësinë e dytë zgjedhore nga “Rilindja me BESË”, Afrim Gashi. (Nexhati Aqifi, TVM2)