Maqedoni
Reshjet rrezik për vërshimin e tokës bujqësore
30.04.2014 18:11
Reshjet e shiut që ditëve të fundit kapluan disa rajone të vendit, kanë bërë që të rritet niveli i rrjedhave të shtretërve të lumenjve...

Reshjet e shiut që ditëve të fundit kapluan disa rajone të vendit, kanë bërë që të rritet niveli i rrjedhave të shtretërve të lumenjve, me çka është vërshuar një pjesë e madhe e sipërfaqes së tokës pjellore, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Sipas informacionit të marra nga Qendra Operative, deri në ora 11:30, reshjet gjatë natës nuk shkaktuan derdhje të mëdha. Për momentin ka derdhje në rajonin e Kumanovës, në liqenin e Likovës dhe Orizarës, që kanë vërshuar rreth 100 ha sipërfaqe të drithit, kurse në rajonin e Shkupit, për shkak të mbeturinave të hedhura në një sipërfaqe të vogël, është derdhur lumi Batinska“, tha zëdhënësi i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Gazmend Sherifi.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se nëse edhe në ditët e ardhshme vazhdojnë të reshurat e shiut me intensitet më të madh, atëherë ekziston mundësia e derdhjes së lumenjve nga shtretërit e tyre dhe vërshimi i një sipërfaqe të madhe të të mbjellurave.
Sipas Drejtorisë Hidrometeorologjike, si zona më të rrezikuara konsiderohen rajoni i Pollogut, rrjedha e sipërme e lumit Treska, rrjedha e lumit të Zi, ajo e Kavadarit, Gjevgjelisë, pellgu i lumit të Strumicës, Bregallnicës, lumenjtë e Kumanovës dhe rajoni i Ohrit dhe Prespës.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, nga të reshurat e deritanishme të shiut nuk ka vërshime të shtëpive dhe dëme materiale.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
