Ahmeti: Mandat vendimtar për çështjet madhore

29.11.2016 13:36

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën e saj zgjedhore....

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën e saj zgjedhore në më shumë vendbanime të banuara me shqiptarë në njësinë zgjedhore numër pesë.

Kreu i kësaj partie, Ali Ahemti, u zotua para banorëve të kësaj njësie zgjedhore se do t’u qëndrojë besnik përbetimeve që janë në të mirën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë anë e mbanë Maqedonisë.

“Sot unë jam këtu me kuadro të larta të BDI-së me qëllimin më te mirë që Ohri dhe vendet tjera, si Dollneni e Krusheva, si dhe Manastiri e Prespa, janë në qendër të vëmendjes të të gjithë veprimtarëve, ashtu siç kanë qenë të vëmendjes në të gjitha kohërat. Këtu në Ohër dallon shumë nga Dollneni, këtu është ruajtur fryma e gjallë e gjuhës shqipe, është ruajt shumë e freskët kujtesa historike, andej persekutimet e dëbimet kanë qenë shumë të mëdha, por jashtë këtyre shtypjeve nuk ka qenë edhe Ohri”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lidhur me të drejtat politike të bashkësive etnike, Ahmeti tha se do të angazhohet për të gjithë njësoj, përfshi edhe komunitetet më të vogla, si turqit, boshnjakët, egjiptianët, romët dhe të tjerët.

Shqiptarët dhe etnitë që nuk kishin status legal në këtë vend fituan të drejtën me luftën tonë, tha Ahmeti duke shtuar se edhe më tej do të kërkojë që minoritetet që akoma nuk kanë vend në Kushtetutën e RM-së të zënë vendin e merituar.

Në këtë drejtim, Ahmeti kërkoi nga banorët e kësaj zone që të bashkohen të gjithë së bashku, sepse, sipas tij, nuk janë shumë, ndërsa të bashkuar mund të jenë më të rëndësishëm. Ahmeti para qytetarëve të Ohrit gjithashtu tha se ky mandat do të jetë vendimtar për shumë çështje madhore, pasi gjatë katër vjetëve të radhës do të vendoset në ç’drejtim do të hapërojë Maqedonia.

“A do t’i mbyllim temat e hapura që na ecin zvarrë dekadën e fundit?! Sigurisht që për t’i mbyllur këto tema, siç është emri i shtetit, çështja me Bullgarinë, nënshkrimi i marrëveshjeve për fqinjësi të mirë, rregullimi i çështjeve në rajon, sigurisht që duhen kuadro të përgatitura, kuadro që do të ballafaqohen në të ardhmen me politika rajonale, por edhe me diplomaci ndërkombëtare. Vendi ynë nuk guxon të zvarritet dhe të bëhet zvarranik, por duhet të zë vendin e merituar në NATO dhe BE, sepse NATO prodhon marrëdhënie të mira në këtë vend mes shqiptarëve dhe komunitetit maqedonas, si dy komunitete më të mëdha, dhe ky vend nuk është vetëm i njërit komunitet. Në këtë vend vendosin ata që jetojnë në këtë vend”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kreu i BDI-së banorëve të Ohrit u premtoi se nuk do t’i zhgënjejë edhe në aspektin ekonomik. Ai tha se vetëm brenda katër muajve janë hapur 2000 vende pune në Maqedoninë perëndimore, ndërsa brenda vitit të ardhshëm ky numër do të shkojë në 5000, nënvizoi Ahmeti. Ai gjithashtu tha se BDI prioritet do t’u kushtojë edhe investitorëve të vendit. Ai premtoi se BDI atyre do t’u ofrojë përkrahje më të madhe gjatë mandatit të radhës.

Ndërkohë, gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë, Ahmeti tha se kandidatët e BDI-së në njësinë e pestë zgjedhore janë të merituar dhe të dëshmuar ndër vite.

Ndërkaq, kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Adem Karaga, tha se BDI do të dëshmojë forcën e saj dhe se 11 dhjetori do të jetë vula e fuqishme e ekzistencës së saj.

“Bashkë me gjithë ju do të dëshmojmë forcën dhe fuqinë të atij uragani të madh që BDI bart në vete dhe sigurisht që e bart, sepse në ballë ka një ndër njerëzit më të çmuar, ideatorin e shumë luftërave, ballëlartë, besnik dhe njeri i shumë sfidave. Dhe ky është lideri ynë, Ali Ahmeti. Unë nuk e vë në dyshim se 11 dhjetori do të jetë vulë e fuqishme e ekzistencës tonë”,- theksoi kandidati për deputet në njësinë zgjedhore nr. 5, Adem Karaga.

Kreu i BDI-së i shoqëruar me kandidatët për deputetë dhe shefin e shtabit zgjedhor, në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore ka qëndruar edhe në komunën e Dollnenit dhe më pas edhe në Krushevë. Ahmeti para strukturës vendore foli për pesë përbetimet e BDI-së për zgjedhjet e 11 dhjetorit, duke shtuar se opsioni që ofron BDI ka për qëllim mbarëvajtjen e popullit shqiptar dhe se që gjërat të ecin siç duhet nevojitet angazhim i kuadrove të përsosura, të cilat dihet se i posedon Bashkim Demokratik për Integrim.

Ai gjithashtu u tha banorëve të kësaj ane se nuk do lejohet asnjë hap drejt asimilimit dhe çuarjes në harresë të gjuhës shqipe, që përkon edhe me zotimet për barazi dhe vetëdijesim gjuhësor të BDI-së. Ahmeti u tha banorëve të zonës së Krushevës se interesat e shqiptarëve i mbron vetëm BDI-ja. (Naim Ramadani, TVM2)