OSBE dhe Komiteti i Helsinkit: “Actio Popularis” për viktimat nga diskriminimi

29.11.2016 13:48

Komiteti i Helsinkit dhe OSBE kërkojnë që në Maqedoni të mundësohet të përdoret “Actio Popularis”...

Komiteti i Helsinkit dhe OSBE kërkojnë që në Maqedoni të mundësohet të përdoret “Actio Popularis” në rastet e diskriminimit të grupeve të rrezikuara, që do të thotë se çdo individ ose shoqatë joqeveritare të mund të ngrejë padi në emër të viktimave të diskriminimit, pa pasur nevojë paraprakisht për pajtueshmëri nga ana e tyre.

Kjo “padi në emër të popullit” do t’u ndihmonte personave të varur nga droga, shoqërinë LGBT, si dhe komunitetit rom, si grupe më të rrezikuara nga diskriminimi.

"Kërkojmë që të përjashtohet praktika e deritanishme e paraparë me Ligjin për diskriminim, me të cilin detyrohemi të sigurojmë pajtushmëri nga viktimat për ngritjen e padive ndaj diskriminuesve. OJQ–të aktualisht janë të kufizuara në rastet kur kërkojnë drejtësi për  viktimat të cilat shpeshherë nuk janë të vetëdijshëm për diskriminimin që u bëhet”,- theksoi Neda Çaloska Dimovksa nga Komiteti i Helsinkit.

“Ne duam të implementojmë këtë vegël juridike, sepse ajo mundëson sistem mbrojtës kolektiv të personave të rrezikuar. Sistemi juridik i tanishëm nuk u mundëson viktimave të këtyre grupeve mbrojtje nga diskriminimi, por vetëm mbrojtje individuale. Andaj dhe nevoja për “Actio Popularis” është e madhe”,- u shpreh Sllavica Çubriç nga OSBE.

“Actio Popularis” implementohet në Hungari, Kroaci, Sllovaki, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Në këto vende praktika tregon se është siguruar mbrojte më e madhe kolektive për viktimat nga diskriminimi dhe  me këtë edhe mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut. (Rexhep Qamili, TVM2)