Borë në Maqedoni, ndalesë për kamionët në Mavrovë e Strazhë

29.11.2016 13:01

Maqedonia është përfshirë nga moti tipik dimëror me temperaturë të ulëta....

Maqedonia është përfshirë nga moti tipik dimëror me temperaturë të ulëta dhe reshje dëbore në vendet malore.

Prej nesër, madje, temperaturat pritet të ulen deri në minus dhjetë gradë celsius. Në Mavrovë janë shënuar reshjet më të shumta të dëborës, e cila arriti trashësinë prej 10 centimetrash.

Borë ka edhe në Krushevë, Berovë, Demir Kapi e Kriva Pallankë. Nga Lidhja Auto-moto përkujtojnë shoferët të vozisin me kujdes në kushtet e rrugëve të lagështa e të mbuluara nga bora. Ende është në fuqi edhe ndalesa për kamionë në akset rrugore Gostivar-Mavrovë-Dibër, Gostivar-Strazhë-Kërçovë dhe anasjelltas.

Ndalim i lëvizjes së automjeteve transportuese prej mëngjesit është vendosur në rrugën Resnjë-Manastir, në qafën Gjavatë, njoftojnë nga Lidhja Auto-moto e Maqedonisë. Nga kjo Lidhje përkujtojnë shoferët se deri më 15 mars vlen mbajtja e pajisjeve të domosdoshme dimërore në makinat e tyre.